Sport 4 Korrik 2023, 20:09

Trukuan ndeshjet 10-vite më parë, UEFA konfirmon përjashtimin e Osasunës nga Liga e Konferencës

Shkruar nga Pamfleti

Trukuan ndeshjet 10-vite më parë, UEFA konfirmon përjashtimin e

Klubi i Osasunës nuk ka arritur t’i gëzohet kualifikimit në Ligën e Konferencës në këtë edicion. Skuadra spanjolle ka marrë një dënim të rëndë nga UEFA, e cila e ka përjashtuar për shkak të trukimeve të ndeshjeve nga ky klub rreth 10-vite më parë.

Gjykata sportive në Spanjë ka dënuar Osasunën pas shumë vitesh të kaluara në sallat e gjyqeve, për trukimet e rezultateve të ndeshjeve në La Liga në sezonin 2013-2014, kur nëpërmjet pagesave ndaj klubeve të tjera, dakordësohej për rezultate të caktuara që i mundësonin mbijetesën në La Liga.

UEFA bëri të ditur dy javë më parë se kishte përjashtuar Osasunën nga Liga e Konferencës, pasi ky klub kishte siguruar pjesëmarrjen me vendin e 7 në kampionat. Ndërsa sot, ishte vetë klubi, i cili në një komunikatë zyrtare konfirmoi se i njëjti vendim kishte qendruar në fuqi nga Komisioni i Apelit të UEFA-s, me KAS-in e Lozanës që mbetej e vetmja zgjidhje për këtë situatë.

Ndonëse spanjollët bënë të ditur se do të drejtoheshin te gjykata ndërkombëtare e arbitrazhit për të kthyer vendimin e UEFA-s, precedentët e saj bëjnë thuajse të pamundur që kjo çështje të ketë një rrjedhë ndryshe. Kështu, në vend të Osasunës, në këtë aktivitet pritet të shkojë Atletik Bilbao që u rendit në vendin e 8 në kampionatin e kaluar.

uefa osasuna skuadra spanjolle liga e konferencës