TAGS-AT E JAVËS

Sport 2 Maj 2023, 20:40

UEFA Development U-16/ Kuqezinjtë e vegjël e nisin me këmbën e mbarë, mposhtin pastër Moldavinë në “Shtëpinë e Futbollit (Video)

Shkruar nga Pamfleti
UEFA Development U-16/ Kuqezinjtë e vegjël e nisin me këmbën

Janë luajtur sot dy ndeshjet e para të turneut ndërkombëtar “UEFA Development U-16” për meshkuj, që do të zhvillohet në Shqipëri dhe organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në këtë turne përveç Shqipërisë U-16 marrin pjesë edhe Moldavia, Azerbajxhani dhe Ishujt Faroe, teksa risia e madhe e këtij edicioni është padyshim zhvillimi i sfidave në fushat e “Shtëpisë së Futbollit”.

Kombëtarja kuqezi debutoi me sfidën ndaj Moldavisë U-16, teksa ndeshja është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm tifozësh që kishin mbushur tribunën e njërës prej fushave të kompleksit më modern në vendin tonë. Ndeshja përfundoi me fitoren 3-0 të Shqipërisë U-16 me një paraqitje mjaft të mirë të kuqezinjve.

Trajneri Ervin Bulku hodhi në fushë këtë formacion titullar: Leonard Kolgecaj, Murselo Dervishi, Kleo Shpuza, Renato Halili, Jetmir Laze, Xheto Xhoi Nuredini, Eraldo Karaj, Tedi Malaj, Ergis Arifi, Oresti Rifa, Rinaldo Nela.

Në minutën e 19, Shqipëria iu afrua golit kur Nuredini goditi nga jashtë zone, por topi u bllokua në kohë nga portieri Dan Rusu. Në minutën e 23 ishte Burca i Moldavisë që dërgoi topin në rrjetë, por arbitri sinjalizon pozicion jashtë loje të lojtarit moldav.

Kombëtarja shqiptare e rriti presionin dhe u afrua më shumë në zonën kundërshtare, teksa në minutën e 45 erdhi edhe goli i avantazhit. Zbritje e shpejtë e kuqezinjve me Rifën që pasoi në thellësi saktë për Nuredinin, i cili pasi dribloi edhe portierin goditi me të djathtën dhe arriti të shënonin.

Goli karikoi ekipin shqiptar dhe në minutën e fundit shtesë, kuqezinjtë arritën të dyfishonin shifrat. Krosim nga goditja e dënimit dhe Halili arriti të godiste nga afër me portierin mik që nuk arriti të ndalonte siç duhej topin, që përfundoi brenda portës. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0 në favor të Shqipërisë U-16.

Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtën panoramë, teksa të dyja ekipet u shfaqën të balancuara në fushë, duke krijuar raste për shënim. Në minutën e 66 sërish Nuredini pati një mundësi të mirë, por në mometin e fundit nuk arriti të godiste siç duhet portën.

Vetëm një minutë me vonë ishte po sulmuesi Nuredini, që pasi mori një pasim të saktë në sulm, hyri në zonë dhe goditi saktë me të djathtën duke shënuar dhe duke çuar rezultatin në 3-0. Trajneri Bulku bëri ndërkohë disa zvëendësime, duke aktivizuar shumë prej lojtarëve të ftuar për këtë turne.

Shqipëria pati një tjetër mundësi të mirë në minutën e 78, kur pas një kundërsulmi Marqeshi i sapofutur në lojë, doli vetëm me portierin, por është i pafat, pasi topi përfundoi jashtë. Në minutat e fundit rezultati nuk ndryshoi dhe ndeshja u mbyll me fitoren e Shqipërisë U-16 në shifrat 3-0.

Ndeshja tjetër e luajtur sot Ishujt Faroe – Azerbajxhan përfundoi me fitoren 2-4 të azerëve, me sfidën që prodhoi gola dhe emocione deri në minutat e fundit. Ishujt Faroe ishin për një pjesë të mirë të ndeshjes në avantazh, por Azerbajxhani mundi të përmbyste gjithçka duke triumfuar me meritë.

uefa development u-16 shqipëria moldavia

Lini një Përgjigje