
Majkëll Oliver është vendosur të gjykojë finalen e “play-off”-it për Botërorin mes Kosovës dhe Turqisë, e cila do të zhvillohet më 31 mars, në orën 20:45.
Arbitri anglez, pjesë e listës së FIFA-s, konsiderohet një nga gjyqtarët më me eksperiencë në arenën ndërkombëtare. Ai ka qenë më parë protagonist edhe në ndeshje të rëndësishme, përfshirë finalen e Superkupës së Europës në vitin 2022, ku Reali i Madridit mposhti Ajntrahtin e Frankfurtit me rezultatin 2-0.
Për Kosovën, Oliver mbetet një emër relativisht i panjohur, pasi nuk ka gjykuar më parë ndeshje të tyre. Ndryshe paraqitet situata me Turqinë, të cilën e ka drejtuar në tri takime ndërkombëtare.
Ndeshja e parë daton në kualifikueset e Europianit, ku Turqia fitoi 0-1 ndaj Kazakistanit. Më pas, ai gjykoi në kualifikueset e Botërorit në mars 2021, ku turqit triumfuan 4-2 ndaj Holandës. Takimi më i fundit me Turqinë ishte në shtator të vitit të kaluar, kur Spanja fitoi thellë 0-6 në transfertë.
Oliver ka qenë gjithashtu në qendër të vëmendjes në Angli në janar 2025, pasi mori kërcënime në rrjetet sociale, që përfshinë edhe familjen e tij. Ngjarja lidhej me vendimin për të ndëshkuar me karton të kuq lojtarin e Arsenalit, Ljuis-Skelli.
Lini një Përgjigje