Meta-Rama klane mafioze për të përçarë shqiptarët, lëshohen si “lukuni ujqërish” ndaj Kosovës - Aktualitet
Aktualitet21 Maj 2019, 16:05

Meta-Rama klane mafioze për të përçarë shqiptarët, lëshohen si “lukuni ujqërish” ndaj Kosovës

Shkruar nga Pamfleti
Meta-Rama klane mafioze për të përçarë

Meta-Rama lëvizje djallëzore në prag të ngritjes së SPAK, po tentojnë të përçajnë edhe politikën e Kosovës

Krerët e politikës shqiptare, përveçse po tentojnë me çdo kusht të shkatërrojnë e destabilizojnë Shqipërinë, janë lëshuar ditët e fundit si “lukuni ujqërish” edhe ndaj shtetit të dytë të shqiptarëve, Kosovës.

Prej ditësh, Edi Rama dhe Ilir Meta po tentojnë të përçajnë dhe fragmentizojnë politikën kosovare, duke krijuar një rrjet klanor për interesat e tyre të ngushta. Kështu, nga njëra anë është Ilir Meta dhe klani i tij, me kryeministrin kosovar, Ramush Haradinaj, dhe gjithë pjesën tjetër që i mbështet; ndërsa nga ana tjetër qëndron Edi Rama me Hashim Thaçin.

Të ndarë, ashtu siç janë në Shqipëri, Ilir Meta dhe Edi Rama po tentojnë të përçojnë një frymë ndarjeje e urrejtjeje edhe në politikën e Kosovës. Prej dy ditësh, Rama dhe Meta po kryejnë takime me krerët e politikës kosovare, pa asnjë fill logjik politik e kombëtar, por duket se gjithçka bëhet për interesat e tyre.

Një ditë më parë, Meta takoi kryeministrin Ramush Haradinaj, në Durrës, ku tha se kanë diskutuar për sfidat e përbashkëta.

“Kënaqësi e veçantë të ndaja sërish me Kryeministrin, Ramush Haradinaj në Durrës pikëpamje mbi sfida të përbashkëta që forcojnë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe perspektivën e përbashkët evropiane”, deklaroi Meta.

Ndërsa, sot në zyrën e Edi Ramës në Kryeministri zbarkoi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka diskutuar me “mikun” e tij mbi aktualitetet politike në Kosovë, Shqipëri e rajon.

“Si gjithmonë, kënaqësi takimi me kryeministrin Edi Rama. Biseduam për aktualitetet politike në Kosovë, Shqipëri dhe rajon, si dhe për përgatitjet e Kosovës për Samitin e Parisit”, tha Thaçi.

Menjëherë pas këtij takimi, vjen një tjetër bisedë, ku këtë radhë është sërish Ilir Meta, i cili ulet me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj. Takimin e ka bërë të ditur vetë Kreu i Shtetit Shqiptar, i cili thekson se është folur për mbledhjen e dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, një ditë më parë në Tiranë, ku munguan Rama dhe Haradinaj.

“Takim i përzemërt me Zv/Kryeministrin e Kosovës, z.Fatmir Limaj, i cili më njohu me dakordësinë e arritur dje ndërmjet dy qeverive për zbatimin e një sërë marrëveshjesh që do ta forcojnë më tej bashkëpunimin midis vendeve tona.

Vlerësuam mbarëvajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore të zhvilluara së fundmi në Kosovë.

Kosova e ka merituar prej kohësh heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Europian, duke i përmbushur tërësisht të gjitha kriteret.

Forcimi i mëtejshëm i partneritetit të Kosovës me SHBA dhe BE, garanton integrimin euroatlantik të saj dhe konsolidon sigurinë në rajonin tonë”, u shpreh Presidenti.

Të gjitha këto takime duket se janë lëvizje djallëzore të dy politikanëve shqiptarë, Ilir Meta dhe Edi Rama, të cilët duket se po ndjejnë fundin e tyre politik. Në prag të ngritjes së SPAK, që do t’i godasë ata dhe të gjithë pushtetarët shqiptarë të inkriminuar dhe të korruptuar, Meta dhe Rama po tentojnë të përçajnë edhe politikën e Kosovës.

Kryesore Edi Rama Hashim Thaçi Ilir Meta Ramush Haradinaj