Drejtësi me përzgjedhje: Babloku ka dhënë urdhër që Erion Veliaj të mos preket! - Politike
Politike11 Dhjetor 2023, 10:08

Drejtësi me përzgjedhje: Babloku ka dhënë urdhër që Erion Veliaj të mos preket!

Shkruar nga Pamfleti
Drejtësi me përzgjedhje: Babloku ka dhënë urdhër
Erion Veliaj dhe Edi Rama /

Nëse për rastin e Arben Ahmetaj, SPAK shkoi deri tek interpretimi i presjeve në dokumente, duke trilluar fakte që nuk ishin askund, në rastin e bashkisë së Tiranës, emrat që kane firmën e zeza mbi të bardhë nuk përmenden askund...

15 fletë-arreste dolën më në fund, për një nga skandalet më të mëdha, me të paturpshme dhe më sfiduese për drejtësinë, atë të inceneratorit të Tiranës. 15 arrestime që, duhet thënë se priteshin prej kohësh dhe se u vonuan pikërisht aq kohë sa iu desh Bablokut të merrte, sipas tij, disa masa për të shpëtuar kokat e këtij skandali.

Ai që mban postin kryesor ndër të arrestuarit është Drejtori i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, më herët drejtor i Urbanistikës,  Taulant Tushe. Ky është emri i zyrtarit të përdorur keq, njësoj si Alqi Bllako në Ministrinë e Mjedisit, për një çështje që as kanë pasur mundësi zyrtare e as personale për t'i lëvizur rrotën.

Edhe pse e meritojnë të jenë në bankën e të akuzuarve dhe të marrin dënimin e duhur, asnjëri prej tyre nuk ka pasur as forcë dhe as pushtet të mjaftueshëm të hidhte para për një incenerator inekzistent apo të hartonin dhe miratonin Vendime Qeverie për fonde krejt të paarsyeshme që shkon drejt e në xhepat e bosëve të mëdhenj të pushtetit.

Fakti i parë që vërteton se mënyra se si po hetohet çështja e inceneratorit të Tiranës mban erë, është koha e gjatë me të cilën SPAK e rrotulloi nëpër gojë duke i dhënë kohë hajdutëve me pushtet të marrin masa.

E dyta është mënyra sesi po lexohet kjo dosje dhe njerëzit që po ngarkohen me faj. Nëse për rastin e Arben Ahmetaj, SPAK shkoi deri tek interpretimi i presjeve në dokumente, duke trilluar fakte që nuk ishin askund, në rastin e bashkisë së Tiranës, emrat që kane firmën e zeza mbi të bardhë nuk përmenden askund.

Media i ka publikuar me kohë dhe para SPAK-ut vendimet pa miratimin paraprak të Këshillit Bashkiak, të firmosura nga Erion Veliaj për financimin me 91 milionë euro të inceneratorit të Tiranës kur ky nuk ekzistonte as si kompani e regjistruar, por ato nuk referohen askund në faktet e cituara nga "drejtësia e pavarur" dhe kjo nuk do shumë mend të kuptohet se pse.

Edhe pse ende nuk është publikuar një provë zyrtare dihet se Babloku ka dhënë urdhër që Erion Veliaj të mos preket. Prandaj kushdo që merr në dorë dosjen e inceneratorit të Tiranës e kupton që drejtësia e SPAK-ut është zbatuar në mënyrë preferenciale. U firmosën në të njëjtën kohë 15 urdhër arreste duke shpresuar se janë mjaftueshëm shumë për konsumim publik. Besonin se oreksi i një populli që pret më në fund gjetjen e fajtorëve do të ngopet.

Por hallet e Bablokut janë shumë më tepër sesa vetëm Erioni që zgërdhihet ekraneve. Ky i fundit është shumë më i zoti se Kryeministri në propagandë dhe e ka nisur me kohë vetëmbrojtjen. Por  Bashkia ka pasur një aset shumë më të çmuar se Lali, ai që de facto ka dirigjuar çdo veprim e vendim, burri i një prej këshilltareve të shumta të Kryeministrit, një njeri i paskrupullt që Rama e mori afër vetes, Arbjan Mazniku.

Drejtësi me përzgjedhje: Babloku ka dhënë urdhër

Lali ka qenë pjesë, ka firmosur dhe ka lënë gjurmë, Babloku ka ngrënë e ka pirë nga ajo tepsi, edhe kjo dihet, por njeriu i tyre në terren ka qenë pikërisht Mazniku. Emri i tij lakohet si eminenca gri e Bashkisë së Tiranës. Ministri i sotëm i pushtetit vendor, ka ngrënë e ka pirë me paratë e bosëve të inceneratorëve dhe në shoqërinë e tyre, ai ka ideuar skemat e vjedhjes dhe ka drejtuar në hije çdo vendim e veprim. Gjurmët e këtij angazhimi drejtësia i ka, të dukshme si drita e diellit. Mund t'i vërtetojë nëse gjurmon paranë, ato mesazhet dhe mailet që kanë hyrë e dalë në bashki, porositë e dhëna nga lart dhe lidhjet diabolike të shfaqura hapur, por askujt nuk ia mban t'i vërë prangat Maznikut sepse urdhrat e Ramës janë të qartë: Ai nuk duhet të preket.

Po për sa kohë? A do t'i mbijetojnë presionit 15 të arrestuarit apo do t'i tregojnë eprorët e tyre? A e shpëton dot statusi i Ministrit, Arbjan Maznikun dhe pse Rama është i betuar ta shpëtojë? Të jetë efekti i gruas së ministrit pa portofol, por me nam të madh, apo ka diçka tjetër nën rrogoz?/Pamfleti

mazniku veliaj rama inceneratori i tiranës drejtësi me përzgjedhje