Situata në veri Kosovës, Bashkimi Europian heq nga rendi i ditës vendimin për liberalizimin e vizave - Aktualitet
Aktualitet23 Nëntor 2022, 10:16

Situata në veri Kosovës, Bashkimi Europian heq nga rendi i ditës vendimin për liberalizimin e vizave

Shkruar nga Pamfleti
Situata në veri Kosovës, Bashkimi Europian heq nga rendi i ditës

Presidenca Çeke mbrëmë, në momentin e fundit, ka njoftuar vendet anëtare se e ka hequr nga rendi i ditës nga takimi i Coreperit, miratimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, që në këtë takim është dashur të kalojë si formalitet, pa diskutim.

Kjo Presidencë, si arsyetim për heqjen nga rendi i ditës, dhe shtyrjen për takimin e radhës të këtij trupi ku janë ambasadorët e vendeve anëtare, i ka përmendur zhvillimet politike në veri, raporton KOHA.

Duket se në këtë vendim ka pasur ndikim edhe kërcënimi që dy ditë më parë Kosovës ia dha Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, pasi Kosovën e fajësoi për refuzim të propozimit për zgjidhjen e krizës rreth targave të veturave.

Borrell ka thënë se ai do të njoftojë për sjelljen e palëve ministrat e vendeve anëtare, dhe kjo çon sinjal negativ politike, e vlen posaçërisht për Kosovën.

Është hera e parë që në procesin e vendimit për liberalizimin e vizave, në çfarëdo mënyre vendimet apo agjende, lidhen me dialogun dhe situatën në veri të Kosovës. Deri më tash në BE, gjithmonë kanë insistuar se procesi i dialogut dhe ai i liberalizimit të vizave janë dy procese të ndara nga njëri-tjetri.

Në qarqet diplomatike në Bruksel thonë se “ka pasur ndërhyrje të disa vendeve anëtare”.

“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në gjendën e Coreperit nesër, nuk duket ideale. Prandaj kemi vendosur ta shtyjmë këtë pikë deri javën që vjen më (30 nëntor)”, është mesazhi të cilin presidenca Çeke e BE-së u ka dërguar vendeve anëtare.

Sipas tekstit të vendimit, me të cilin janë pajtuar vendet anëtare në takimin e këshilltarëve për vizat të martën më 22 nëntor, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hynte në fuqi së bashku me nisjen e funksionimit të sistemit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Kryesore dialogu Kosovë-Serbi liberalizimi i vizave për Kosovën