
Babai i 2-vjeçarit që humbi jetën në çerdhen shtetërore nr.2 në Burrel mohon që fëmijë të ketë lindur me probleme në zemër, siç është raportuar nga informacionet paraprake. I ati mohoi gjithashtu që djali të ketë pasur temperaturë. Renato Hoti tregon se çfarë i tha edukatorja në telefon para se ta dërgonin me urgjencë në spital ku humbi jetën.
Intervista e plotë:
Odeta Dume: Zoti Hoti u tha të paktën që djali ka pasur probleme, ka lindur me probleme në zemër dhe ky ishte dhe shkaku që ndërroi jetë pikërisht në 11 Shtator, ditën që u hapën çerdhet dhe shkollat.
Babai i 2-vjeçarit: Djali me të vërtetë ka lindur para kohe, edhe ka ndenjur në inkubator një muaj, por unë i kam bërë dy herë analiza në Tiranë me skaner, me eko zemre. Doktorët nuk më kanë thënë asgjë, prandaj kjo është një gënjeshtër e madhe.
Odeta Dume: E qartë, nga të gjitha vizitat që ju i keni bërë djalit që kur e keni sjellë në jetë, asnjëherë nuk keni mësuar nga mjekët se ai mund të kishte një problem shëndetësor të tillë.
Renato Hoti: Jo, jo!
Odeta Dume: Atë ditë e çuat në mëngjes në kopsht, si ka qenë gjendja e tij shëndetësore?
Renato Hoti: Po, gjendja e tij shëndetësore ka qenë shumë e mirë njëherë, sepse e ka çuar nusja në 08:00 e disa minuta. Unë isha tek puna për vete, nuk kisha mundësi për ta çuar. Edhe unë kam marrë telefonatë nga drejtoresha e kopshtit nga ora 11:15, djali ka shkuar direkt në spital. Atje kur kam shkuar në spital, e kam gjetur pa jetë.
Odeta Dume: Nga deklaratat që kanë dhënë edukatoret mësuat se çfarë kishte ndodhur në atë kopsht, çfarë shqetësimesh kishin parë fillimisht te djali.
Renato Hoti: Me edukatoren që fola unë, po më thoshte që ka qenë duke fjetur gjumë edhe është çuar nga gjumi duke vjellë. E ka marrë ajo në krahë dhe më ka treguar të vjellat në bluzë.
Odeta Dume: Pra atë mëngjes kur nëna e ka dërguar në kopsht, ai nuk ka pasur as temperaturë, asgjë.
Renato Hoti: Ai nuk ka pasur as temperaturë, asnjë gjë. Ka qenë shumë aktiv, shumë në rregull. Ai para tre-katër ditësh kaloi një temperaturë, edhe i plasi një dhëmballë. Pati edhe një diarre. Për fëmijët këto janë normale, por jo se ka pasur sëmundje tjetër. Këtë në qoftë se doni ta vërtetoni mund të shkoni te doktori në Burrel, që e ka vizituar herë pas here, e ka kuruar për virozat me ndonjë shurup. Jo që ta kurojnë nga zemra, siç thonë gazetarët.
Odeta Dume: Ekspertiza mjeko-ligjore çfarë nxori në fund? Çfarë iu thanë mjekët, cili ishte shkaku i vdekjes?
Tenato Hoti: Ata e kanë bërë ekspertizën, edhe nuk kemi parë asnjë gjë jashtë normales. I ka të gjitha në rregull. Tani do presin shkaqet, por tani më thanë që vonon një muaj, një muaj e gjysmë.
Odeta Dume: Pra ende nuk ka dalë ekspertiza mjeko-ligjore?
Renato Hoti: Jo, akoma nuk ka dalë, por parametrat fizike i kishte në rregull.
Odeta Dume: Është një ngjarje vërtet e rëndë, unë jam prekur shumë, jo vetëm unë por besoj të gjithë janë prekur kur e kanë dëgjuar si lajm.
Renato Hoti: Tani mua po më shtohet dhimbja kur dëgjoj këto fjalët, më kupton? Po më shtohet dhimbja pa fund sepse gazetari duhet të bëj kontakt me prindin njëherë sepse prindi e njeh fëmijën.
Odeta Dume: Jeni prekur nga mediat?
Renato Hoti: Jam prekur pra sepse del njëri dhe thotë ka vrimë në zemër pa pyetur babin dhe nënën. Ku e ka marrë këtë informacion njëherë?
Ideta Dume: Unë uroj që të dalë sa më shpejt ekspertiza Zoti Hoti, të mësohet e vërteta dhe shkaku i vdekjes.
Renato Hoti: Ishallah, çuni mua më ka ikur, ekspertiza të bëhet çfarë të bëhet. S’di çfarë të them. Tani ai nuk kthehet më në jetë.
Lini një Përgjigje