Aktualitet13 Shtator 2023, 16:26

Athina nuk gjen qetësi, kërcënon sërish për çështjen “Beleri”: Integrimi në BE varet prej nesh!

Shkruar nga Pamfleti

Athina nuk gjen qetësi, kërcënon sërish për

Greqia ka rikthyer debatin sa i takon arrestimit të Fredi Belerit. Pasi dështuan tentativat e ndërhyrjes në gjyqësor, duket se tani Athina po luan kartën e integrimit europian.

Ministri i Jashtëm Giorgos Gerapetritis kërcënoi sot se perspektiva evropiane e Shqipërisë lidhet me respektimin e të drejtave të pakicës kombëtare greke .

Duke folur për zgjerimin e BE-së në një konferencë ndërkombëtare në Athinë, Gerapetritis theksoi se Athina nuk mund të pranojë vende kandidate që nuk plotësojnë kriteret e anëtarësimit “dhe mbi të gjitha parimet bazë të godinës evropiane, si veçanërisht demokracia dhe gjendjen e drejtësisë”.

Ai iu referua konkretisht rastit të Fredi Bellerisit, duke vijuar avazin e  respektimit të shtetit të së drejtës.

Shqipëria duhet të dëshmojë se respekton të drejtat e pakicës kombëtare greke dhe shtetin e së drejtës”, theksoi ministri i Jashtëm.

Nga ana tjetër ai u mundua ta tregojë se Greqia është ajo që ka në dorë fatin e rajonit sa i takon aspiratës evropiane.

Në këto kohë të vështira, një BE e fortë, elastike dhe gjithëpërfshirëse, me synimin e arritjes së autonomisë strategjike, është gur themeli i paqes dhe prosperitetit për qytetarët e saj”, theksoi ai.

Greqia tentoi ta bëjë problem këtë çështje deri në SHBA, por Uashingtoni ja ka prerë shpresat. Një ditë më parë një zëdhënës i DASH nuk u përgjigj fare kur u pyet, ndërsa në një tjetër rast, DASH ka thënë se Shqipëria operon sipas ligjeve të saj. Ndërkohë kryeministri Rama sot reagoi sërish duke tentuar të tregojë se nuk ndërhyn te drejtësia.

Ndonjë po thotë se kur vjen puna tek ndonjë patate shumë e nxehtë në duart e drejtësisë, si ajo e zotit Beleri, unë duhet të ndërhyj e ta hedh pataten në det, por kjo nuk ka për të ndodhur kurrësesi. Dhe unë vetëm do të përsëris deri në bezdi për shumëkënd, se lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar vetëm do të thellohet, pavarësisht dhimbjeve e kostove, sepse kjo luftë është e drejtë dhe e domosdoshme për Shqipërinë Europiane të të gjithë fëmijëve të këtij vendi. Fatkeqësisht, hija e stereotipit se korrupsioni është mënyra e jetesës në Ballkan dhe të gjithë janë njësoj, prandaj të gjithë duhen treguar me gisht, çfarëdo që të bëjnë për të provuar të kundërtën, shtrihet deri mbi çatitë e zyrave të kryeqyteteve perëndimore”, tha ai.