TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Mars 2026, 11:30

"500 - 1500 euro për çdo tavolinë Call Center", Artan Hoxha: Industria që u promovua nga Rama, sot mbrohet nga policia

Shkruar nga Pamfleti
"500 - 1500 euro për çdo tavolinë Call Center", Artan
Artan Hoxha

Industria e call center-ave në Shqipëri ka kaluar nga një sektor i promovuar për punësim, në një aktivitet që sipas gazetarit Artan Hoxha lidhet me skema mashtrimi dhe mbështetje nga struktura të rendit.

Hoxha përshkruan mënyrën si funksionon kjo industri, përhapjen e saj në territor dhe lidhjet që, sipas tij, e mbajnë në këmbë.

Ai thekson se për çdo tavolinë pune paguhen tarifa mujore që variojnë nga 500 deri në 1500 euro, ndërsa policia siguron funksionimin e aktivitetit.

Sipas Hoxhës, aktiviteti i call center-ave është shtrirë në çdo qytet të madh.

“Nuk ka qytet të madh në Shqipëri që nuk ka nga këto lloj biznese. Janë të shtrira aq sa lojërat e fatit”, tha Hoxha në Syri.tv.

Ai kujton se kjo industri u mbështet fillimisht si një mundësi për punësimin e të rinjve dhe për tërheqjen e të ardhurave.

“Nëse i kthehemi disa vite më parë, ka qenë një industri, të cilën po e promovonte kryeministri i vendit”.

Në atë periudhë, sipas tij, theksi u vendos tek pagat dhe numri i të punësuarve.

“Mbaj mend që thoshin që të punuar nga Korça, mund të kesh rroga 3.000, 4.000 euro apo 5.000 euro”.

Ai shton se industria arriti të punësojë rreth 18 mijë persona në muaj, ndërsa mungesa e kontrollit institucional lejoi zgjerimin e saj pa filtra.

Paralajmërimet dhe përplasja me partnerët europianë

Hoxha thotë se ka paralajmëruar herët për pasojat që mund të sillte kjo veprimtari.

“Jemi duke krijuar një problematikë shumë të madhe me vendet e Bashkimit Europian”.

Ai shton se më vonë këto parashikime u materializuan me ndërhyrje nga policitë europiane.

“Nuk do të jetë e largët dita kur policitë e vendeve europiane do të vërshojnë në Shqipëri”.

Sipas tij, qytetarët më të prekur nga këto skema janë nga Gjermania, Italia, Spanja dhe Franca, çka ka sjellë operacione të vazhdueshme ndërkombëtare.

Ai përmend edhe ndryshime në targetimin e viktimave.

“Filloi të thuhej që shiko, mos pranoni klientë nga Gjermania… Po shikoni këtej nga Italia, nga Spanja, ose nga vendet e Europës Lindore”.

Roli i policisë dhe tarifat mujore

Në analizën e tij, Hoxha e lidh funksionimin e këtij aktiviteti me mbështetjen e strukturave të rendit.

“Është një lloj biznesi që nuk funksionon dot pa marrë miratimin dhe mbështetjen e policisë së shtetit”.

Ai shpjegon se krijohet një zinxhir lidhjesh nga nivelet drejtuese deri tek inspektorët në terren.

“Ti paguan inspektorin që mbulon zonën… në fakt ti paguan drejtorin e nëndrejtorin ose shefin e komisariatit”.

Sipas tij, kjo skemë funksionon mbi tarifa fikse mujore.

“Tarifat fikse variojnë nga 500 euro për tavolinë… deri në 1500 euro, në varësi të vendit ku ti je vendosur”.

Ai shton se vendndodhja e aktivitetit ndikon drejtpërdrejt në pagesë.

“Sa më afër qendrës… aq më e lartë është kjo tarifa që ti paguan”.

Hoxha e krahason këtë model me praktika të mëparshme të aktiviteteve ilegale.

“Duket si ato pagesat që bëheshin për çdo rrënjë kanabisi”.

Qendrat në zona të dukshme dhe zhvendosja e shpejtë

Një tjetër element që, sipas gazetarit, tregon mbrojtjen e kësaj industrie është vendndodhja e saj.

“Qendrat e call centerave nuk janë në periferi apo lagje të fshehura… por në qendër madje dhe në godinën e stadiumit kombëtar”.

Ai përshkruan edhe mënyrën si shmangen kontrollet.

“U njoftuan në kohë dhe për tërë natën… morën kompjuterat, tavolinat… dhe i çuan në një vend tjetër”.

Sipas tij, informacioni për kontrollet rrjedh nga vetë strukturat që paguhen.

“Zhvendosen kaq shpejt sepse ata marrin informacionin nga ata që i paguajnë”.

Fitimet dhe interesat

Hoxha thekson se fitimet e mëdha e kanë bërë këtë industri tërheqëse edhe për aktorë të tjerë ekonomikë.

“A e di ti sa miliona euro fitohen aty? Sa para qarkullon aty?”

Ai përmend se edhe biznesmenë të fuqishëm kanë shprehur interes për këtë sektor.

“Imagjino kur janë xheloz dhe oligarkët, çfarë lloj leku është”.

Në përfundim, ai e rendit këtë aktivitet ndër burimet kryesore të të ardhurave informale që ndikojnë strukturat e rendit.

“Dy të ardhurat kryesore ka sot policia… lojërat e fatit… dhe call center-at”.

Kjo situatë nxjerr në pah një realitet ku një industri e nisur si mundësi ekonomike, sipas Hoxhës, funksionon sot mbi një sistem tarifash dhe mbështetjeje që garanton vazhdimësinë e saj.

industria e call center-ave artan hoxha

Lini një Përgjigje