Konfindustria ka reaguar pas vendimit të Bordit të Transparencës për vendosjen e çmimit tavan të naftës në 203 lekë për litër në tregun me pakicë, duke e cilësuar ndërhyrjen si të nevojshme, por të vonuar.
Në një reagim zyrtar, organizata shprehet se ky është hapi i parë i qeverisë shqiptare për të ndërhyrë në tregun e karburanteve në kushtet e krizës, ndërsa thekson se vende të tjera të rajonit kanë marrë masa të menjëhershme për të përballuar pasojat e situatës ndërkombëtare.
Sipas Konfindustrisë, ulja e çmimeve me mbi 8% pas vendimit të Bordit tregon për hapësira të konsiderueshme spekulimi nga operatorët e tregut dhe nevojën për një mbikëqyrje të vazhdueshme të këtij sektori strategjik.
Organizata i kërkon qeverisë që, krahas monitorimit të çmimeve përmes Bordit të Transparencës, të ndërmarrë një sërë masash të tjera për stabilizimin afatgjatë të tregut.
Ndër kërkesat kryesore renditen:
Ulja e barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat vjetore të automjeteve, deri në nivelin mesatar të vendeve të rajonit
Krijimi i një Enti Rregullator të Karburanteve si institucion i përhershëm mbikëqyrës
Rishikimi i strukturës së tregut, ku sipas Konfindustrisë ka shenja të qarta të kartelit dhe oligopolit në porte dhe në tregtinë me shumicë e pakicë
Ndërtimi i një rafinerie për përpunimin e naftës shqiptare, me synimin për të mbuluar të paktën 30% të nevojave vjetore të vendit.
Njoftimi i plotë
Konfindustria mbështet vendimin e sotëm të ekzekutivit nëpërmjet Bordit të Trasparencës për vendosjen e çmimeve tavan të karburanteve në tregëtinë me shumicë dhe pakicë.
Sa më sipër përbën ndërhyrjen e parë dhe mjaft të vonuar të qeverisë shqiptare në tregun e karburanteve në kushtet e jashtëzakonshme të krizës. Të gjitha shtete e rajonit dhe më gjerë kanë marrë masa të menjëhershme për zbutjen e pasojave të luftës së Gjirit Persik.
Çmimet e vendosura të produkteve të karburanteve janë mbi 8% më të ulëta, që tregon qartësisht për hapësirat e gjera të spekullimeve nga operatorët e tregut dhe domosdoshmërinë e ndjekjes së vazhdueshme të mbikqyrjes së tregut strategjik të karburanteve.
Konfindustria i kërkon qeverisë shqiptare, që në të njejtën kohë me mbikqyrjen nëpërmjet Bordit të Trasparencës për parandalimin e spekullimeve në tregun e karburanteve në kushtet e sotme të jashtëzakonshme botërore, të vlerësojë me shpejtësi si më poshtë:
1- Uljen e përgjithshme të barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat vjetore të makinave deri në nivelet të mesatares së shteteve të rajonit
2- Krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve si institucion i përhershëm mbikqyrës
3- Rishikimin e ndërtimit të sotëm në dretimin vertikal dhe horizontal të tregut të karburanteve me shfaqje të qarta të tipit kartel dhe oligopol në porte, tregëti me shumicë dhe pakicë
4- Ndërtimin e rafinerisë për të përpunuar naftën shqiptare për të plotësuar të paktën 30% të nevojave vjetore të vendit.
Lini një Përgjigje