TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Qershor 2025, 12:52

A do mund t’ia marrë mandatin PS? Duleviç: Kam parë parregullsi, edhe një votë të marrim për kuti mbetemi në lojë

Shkruar nga Pamfleti

A do mund t’ia marrë mandatin PS? Duleviç: Kam parë

Kandidati i Nisma Shqipëria Bëhet, Azmer Duleviç i cili po ndjek nga afër procesin e rinumërimit të votave të qarkut Fier, foli për mundësinë që ka për të hyrë në parlament nëse arrin të rikuperojë mbi 500 votat që i duhen për t’i rrëmbyer mandatin PS-së.

Në një intervistë për Report TV, ai tha se nuk është entuziast, por shtoi se kanë vërejtur parregullsi gjatë këqyrjes së pamjeve filmike.  

“Është pak herët për të parë nëse do ta marrim apo jo mandatin. Por ne jemi këtu, jam personalisht këtu për respekt të çdo qytetari që më ka votuar por edhe ekipin që përfaqësoj. Pastaj gjykimet do t’i bëjmë në bazë të votave që do të dalin nga rinumërimi. Jam me këmbë në tokë dhe nuk jam shumë optimist dhe entuziast se do të ketë ndryshim pasi çfarë është bërë, është bërë para procesit të numërimit dhe mbetet për t’u parë”, u shpreh ai.

Duleviç theksoi se ka parë që disa vota të tyre janë shpallur të pavlefshme ndërkohë që vota të pavlefshme të PS, janë shpallur të vlefshme.

Sipas tij, sikurse edhe një votë shtesë të mund të rikuperojnë në çdo kuti nga 587 që janë në total, do të mundin të përmbysin rezultatin e PS-së dhe të marrin mandatin.

“Ne kemi marrë pamjet filmike nga 9 KZAZ dhe kemi vërejtur në disa kuti që disa vota tona padrejtësisht janë shpallur të pavlefshme dhe disa vota të pavlefshme për PS janë shpallur të vlefshme. Kjo na ngriti dyshimin se mund të ketë manipulime ose edhe gabime njerëzore. Na ndajnë vetëm 519 vota për të marrë mandatin. Duke qenë 587 kuti, sikur edhe një votë për kuti, ne na mban në lojë për pjesën e mandatit. Kam kërkuar nëpër disa qendra votimi edhe pamjet ambientale të KQZ, ditën e votimit pasi ka shumë zona që nuk kemi pasur komisionerë dhe anëtarë dhe s’kemi pasur mundësi ti mbulojmë me vëzhgues. Dhe në disa që kemi indicie, kemi kërkuar pamjet e ditës së votimit për të parë se çfarë është bërë me 11 maj”, shtoi ai.

Pyetjes nëse ka pasur përplasje mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, ai tha se “Kjo është pyetje që duhet t’i japin përgjigje drejtuesit e partive, por mesa shikoj çdo gjë duket normale dhe jam besimplotë që koalicioni duhet të vazhdojë për të mirën e të gjitha palëve.”

Lini një Përgjigje