TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Korrik 2026, 20:10

Vatikani ndërhyn në krizën shqiptare, apel Ramës: Dëgjo zërin e popullit shqiptar!

Shkruar nga Pamfleti
Vatikani ndërhyn në krizën shqiptare, apel Ramës: Dëgjo
Papa Leo XIV me familjen e Edi Ramës /

Kisha Katolike rreshtohet krah qytetarëve shqiptarë, me një aktivitet të posaçëm që do të mbahet më 29 korrik në Verona. Ndërkohë në Tiranë “Revolucioni i Flamingove” po dridh themelet e maxhorancës...

Në Shqipëri, revolta qytetare vijon e pandalur prej dy muajsh. Protestat nisën fillimisht si reagim ndaj një projekti turistik luksoz të lidhur me sipërmarrësin Jared Kushner, dhëndri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Ky projekt parashikohet të shtrihet në ishullin e Sazanit dhe në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, në Lagunën e Nartës - një ekosistem i njohur botërisht për praninë e flamangëve rozë.

Jo vetëm mjedisi: Kauza po merr përmasa politike dhe sociale

Çdo mbrëmje në Tiranë, marshimet dhe qëndresat pa afat të të rinjve po sfidojnë autoritetet. Ajo që nisi për mjedisin, sot është një protestë e hapur kundër modelit ekonomik dhe korrupsionit.

Tensionet kanë arritur pikën e vlimit. Vetëm dy ditë më parë, përpara selisë së parlamentit, protestuesit u përleshën me forcave policore, duke shkaktuar disa të plagosur nga të dyja palët.

Edi Rama: Projekt thelbësor për rilindjen e Shqipërisë”

Nga ana tjetër, Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në disa deklarata publike e ka mbrojtur me vendosmëri projektin e Kushner. Ai e ka cilësuar atë si një hap historik për ta shndërruar Shqipërinë në një destinacion turistik të nivelit botëror, duke garantuar se strukturat hoteliere do të ndërtohen në respekt të plotë të standardeve mjedisore europiane.

Shqetësimi i lartë i Ipeshkëvinjve: Transparencë kundër marrëveshjeve të errëta

Ipeshkëvinjtë shqiptarë po ndjekin me shqetësim dhe vëmendje maksimale zhvillimet në vend. Në një deklaratë zyrtare, Konferenca Episkopale nënvizoi “ Çdo zhvillim në vend duhet të marrë parasysh mbrojtjen e mjedisit, si dhe respektimin e pronës së tjetrit.

Papa Françesku, në Enciklikën e tij ‘Laudato si’, shprehet qartë: “Parashikimi i ndikimit mjedisor të sipërmarrjeve dhe projekteve kërkon procese politike transparente dhe të hapura për dialog, ndërsa korrupsioni, i cili fsheh ndikimin e vërtetë mjedisor të një projekti në shkëmbim të favoreve, çon shpesh në marrëveshje të errëta që shmangin detyrimin për informim dhe një debat të thelluar”.

Në këtë kuadër, klerikët kërkojnë që të mos anashkalohet vlerësimi mjedisor, konsultimi publik dhe përfshirja e komuniteteve lokale e agjencive ekologjike. Për Kishën Katolike, ky quhet një “zhvillim integral” që duhet të respektojë çdo dimension të jetës njerëzore dhe komunitare.

Thirrja e prerë: Të dëgjohet zëri i popullit

Konferenca Episkopale vuri në dukje se pjesëmarrja masive e të rinjve dhe familjeve në protesta është një tregues i qartë i pakënaqësisë së thellë ndaj sistemit aktual politik:

“Nuk i takon detyra Kishës për të gjetur zgjidhje teknike apo politike, por për të orientuar ndërgjegjet. Ne jemi të bindur se zëri i popullit duhet dëgjuar dhe duhet marrë në konsideratë. I takon politikës të gjejë zgjidhje brenda kuadrit demokratik.

Këto janë rregullat e demokracisë europiane drejt së cilës ne synojmë. Zëri i shumë njerëzve, që kanë si qëllim të vetëm mirëqenien e familjeve të tyre dhe të shoqërisë, dhe që shprehin pakënaqësinë për veprimet apo mosveprimet e politikanëve, nuk mund të injorohet më”.

Ndërkohë të mërkurën, më 29 korrik, në orën 20:45, në Qendrën Unitare për Bashkëpunim Misionar CUM në Verona, do të mbahet takimi “Shqipëria dhe populli i saj”, i organizuar nga Qendra Misionare Dioqezane në bashkëpunim me Missio CUM.

I ftuari i mbrëmjes do të jetë Ati Flavio Cavallini , Administrator Apostolik i Shqipërisë Jugore, i cili do të ofrojë dëshminë e tij mbi disa çështje aktuale: nga i ashtuquajturi “Revolucioni i Flamingo-ve”, i cili lindi në kundërshtim me projektet e mëdha të turizmit luksoz, deri te zhvillimi i shpejtë i Shqipërisë si një destinacion ndërkombëtar, i cili, megjithatë, vazhdon të përballet me emigrimin e të rinjve dhe kontradiktat e thella që mbizotërojnë në Ballkan./Pamfleti nga “Vatican News”

edi rama papa vatikani

Lini një Përgjigje