
Altin Dumani, kreu i SPAK, ka folur mbrëmjen e së mërkurës, lidhur me punën e Prokurorisë së Posaçme.
Në një intervistë në emisionin “Trialog” në RTSH, Dumani u pyet nga gazetarja Alba Alishani, nëse ka refuzuar dhe a i është kërkuar ndonjë takim nga Kryeministri Edi Rama.
Dumani ka dhënë një përgjigje të prerë duke thënë se takimet apo komunikimet e tij si drejtues i SPAK janë institucionale dhe të dokumentuara.
“Takimet me përfaqësues të pushteteve të tjera janë procedurialë dhe institucional. Takime të tjera tej këtij formati nuk kam pasur dhe nuk bëhen”, tha Dumani.
Në këtë mënyrë, duket se kreu i SPAK ka shmangur edhe pyetjen se kur e ka pasur përballjen e fundit me Kryeministrin.
Dumani është kthyer në një ‘tabelë qitjeje’ të politikanëve që kanë artikuluar një seri akuzash dhe sulmesh politike. Por Kreu i SPAK edhe mbrëmjen e sotme tha se nuk i përgjigjet sulmeve dhe akuzave politike.
Lini një Përgjigje