
Braho theksoi se çdo person mund të hetohet nëse ekzistojnë prova dhe nevoja hetimore...
Në Komisionin për Nismat Ligjore, deputeti i PD-së Gjin Gjoni i ka drejtuar kreut të SPAK, Klodian Braho, një pyetje lidhur me mundësinë e nisjes së hetimeve ndaj kryeministrit Edi Rama apo thirrjen e tij si person në dijeni për çështjen “Albanian Files” dhe çështje të tjera.
Ndërkohë, kreu i SPAK, Klodian Braho, u përgjigj duke thënë se nuk do të komentojë çështje konkrete, ndërsa theksoi se çdo person mund të hetohet nëse ekzistojnë prova dhe nevoja hetimore.
"Nuk kam asnjë koment. Nëse dikush ka prova, është i ftuar t’i depozitojë dhe të marrë përgjigje ligjore sipas ligjit. Asnjë person nuk është imun ndaj SPAK. Këtë e them me bindje. Kushti është nevoja hetimore dhe prova për kryerjen e një vepre penale", tha Braho.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, kreu i SPAK sqaroi se kompetencat e institucionit përfundojnë me procesin penal dhe nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit të vendimit të konfiskimit.
Ai sqaroi se administrimi dhe disponimi përfundimtar i pasurive të konfiskuara është një procedurë administrative që realizohet nga një komitet ndërinstitucional, ku SPAK përfaqësohet vetëm me një anëtar dhe nuk ka rol vendimmarrës.
Braho deklaroi se nuk ka dijeni për raste kur persona, të cilëve u janë konfiskuar pasuritë, t'i kenë rimarrë ato në mënyrë të tërthortë. Megjithatë, ai garantoi se nëse do të evidentohen raste të tilla, SPAK do të nisë hetime ndaj çdo funksionari publik apo personi të përfshirë në shkelje të ligjit.
"Përsa i përket çështjes së pastrimit të parave, po, është një çështje që është shqetësim për ne. Në treguesit që kemi në çështjet e regjistruara vit pas viti, janë tregues të mjaftueshëm për të bërë një matje risku dhe është një veprimtari kriminale që është vlerësuar nga ne si me risk të lartë.
Dhe është një sjellje e tillë, përfshihet në çështjet prioritare të SPAK-ut, por duhet të kuptojmë që goditja e kësaj veprimtarie lidhet me SPAK-un vetëm kur procedimi është i lidhur me një procedim tjetër në kompetencë lëndore, që ju e kuptoni këtë gjë. Dhe hetimet e fundit pikërisht tregojnë një ndryshim të SPAK-ut ndaj qasjes së këtyre fenomeneve kriminale.
Edhe unë ndaj të njëjtin mendim që produktet e veprës penale nuk mund të jenë të pranishme në ekonomi, dëmtojnë ekonominë e ndershme, rrisin potencialin për kryerje të veprimtarive të tjera kriminale, rrisin fuqinë financiare të krimit të organizuar dhe është pikërisht ky produkt që është burimi i korrupsionit dhe fenomenit të korrupsionit. Prandaj është një veprimtari që është në prioritetet tona. Përsa i përket pyetjes lidhur me Euron, nuk kam një përgjigje për këtë gjë, nuk jam ekspert i fushës dhe nuk mendoj që lidhet me kompetencën e SPAK-ut", tha Braho.
Lini një Përgjigje