Braho theksoi se kjo strategji pritet të analizojë grupet kriminale aktive, mënyrën e funksionimit të tyre, tregjet ku veprojnë, lidhjet me pastrimin e parave dhe korrupsionin, si dhe të shërbejë si dokument strategjik për institucionet ligjzbatuese...
Në Komisionin për Nismat Ligjore, Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, prezantoi masat e ndërmarra për zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit, duke vënë theksin te lufta kundër krimit të organizuar, krimeve zgjedhore dhe hetimet financiare.
Në fjalën e tij, Braho tha se një nga projektet kryesore, ishte hartimi i Vlerësimit Strategjik të Kërcënimit nga Krimi i Organizuar, dokument që po përgatitet me mbështetjen e FBI-së dhe projektit EU4LEA. Braho theksoi se kjo strategji pritet të analizojë grupet kriminale aktive, mënyrën e funksionimit të tyre, tregjet ku veprojnë, lidhjet me pastrimin e parave dhe korrupsionin, si dhe të shërbejë si dokument strategjik për institucionet ligjzbatuese.
“Për SPAK-un, rekomandimet e Kuvendit nuk përbëjnë thjesht një element të raportimit vjetor, por ato përbëjnë një mundësi për të vlerësuar praktikat tona, për të evidentuar nevojat për përmirësim dhe për të forcuar efektivitetin e institucionit. Rekomandimi i parë lidhet me analizën e grupeve të krimit të organizuar. Për zbatimin e këtij rekomandimi është ngritur grupi i punës brenda SPAK-ut si dhe grupi ndërinstitucional me institucionet që disponojnë informacion inteligjence mbi grupet kriminale aktive brenda dhe jashtë vendit. Me mbështetjen e pakursyer, do të shtoja, të prezencës së FBI-së dhe EU4LEA-s, jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes së vlerësimit strategjik të kërcënimit nga krimi i organizuar. Ky dokument do të paraqesë karakteristikat kryesore të grupeve kriminale, tregjet ku ato veprojnë, mënyrat e veprimit, shtrirjen territoriale dhe ndërkombëtare. Ai do të analizojë dhe lidhjet ndërmjet krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit. Synimi është që ky dokument të bëhet publik për sa i përket trendeve të aktivitetit dhe të shërbejë për herë të parë si një instrument i hapur strategjik për orientimin e politikës penale, të analizës institucionale dhe të bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese”, tha Braho.
Ai bëri të ditur gjithashtu se SPAK po kryen një analizë të detajuar të masave të sigurimit të kërkuara dhe të vendosura nga gjykatat gjatë viteve 2021–2023, me synim përmirësimin e standardeve të hetimit dhe praktikës procedurale.
“Për sa i përket rekomandimit të dytë që ka në objekt analizën e masave të sigurimit të kërkuara dhe të caktuara gjatë periudhës kohore 2021-2023, SPAK-u për këtë qëllim ka ngritur grupin e punës dhe me asistencën e projektit EU4LEA po kryhet një proces i detajuar verifikimi manual i të dhënave për periudhën pesëvjeçare. Ky proces përfshin evidentimin e çdo kërkese të paraqitur nga prokuroria, vendimmarrjen e gjykatës, kontrollin në apel, si dhe sipas rastit qëndrimin e Gjykatës së Lartë. Qëllimi nuk është vetëm nxjerrja e një statistike, por vlerësimi i standardit të kërkimeve të prokurorisë me mënyrën se si ato janë vlerësuar nga gjykata dhe nevojës për përmirësim të mëtejshëm të praktikës”, shtoi ai.
Sa i përket krimeve zgjedhore, kreu i SPAK tha se gjatë periudhës 2021–2023 janë administruar mbi 230 materiale kallëzuese, ndërsa janë regjistruar më shumë se 150 procedime penale. Vetëm për zgjedhjet e vitit 2023 janë administruar 104 materiale dhe janë regjistruar 46 procedime penale, nga të cilat pesë janë dërguar për gjykim me nëntë të pandehur, ndërsa 22 vijojnë të jenë nën hetim.
“Rekomandimi i tretë që lidhet me zbatimin e strategjisë për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2023. Për zbatimin e këtij rekomandimi është ngritur grupi i punës dhe me asistencën e prezencës së OSBE-së në Shqipëri jemi në përfundim të analizës së përbashkët. Të dhënat paraprake tregojnë një rritje të angazhimit institucional. Gjatë periudhës 2021-2023, SPAK ka trajtuar mbi 230 materiale që lidhen me dyshime për vepra penale zgjedhore dhe ka regjistruar mbi 150 procedime penale. Vetëm për zgjedhjet e vitit 2023 janë administruar 104 materiale dhe janë regjistruar 46 procedime penale, nga të cilat 5 janë dërguar në gjykatë me 9 të pandehur, ndërsa 22 vijojnë të jenë në hetim. Këto të dhëna tregojnë se strategjia e task-forcës ka rritur kapacitetet e SPAK-ut për të administruar indicet në kohë dhe për të filtruar rastet sipas kompetencës, dhe për të orientuar më mirë bashkëpunimin ndërinstitucional. Prania e hershme e task-forcës në procesin zgjedhor ka patur efekt parandalues, duke rritur vëmendjen ndaj përgjegjësisë penale për sjelljet që cenojnë integritetin e zgjedhjeve. Analiza e përbashkët do të shërbejë për përmirësimin e strategjisë ekzistuese, forcimin e protokollit të bashkëpunimit dhe identifikimin e ndërhyrjeve të nevojshme ligjore apo organizative”, theksoi kreu i SPAK.
Më tej Braho theksoi se SPAK po investon gjithashtu në zgjerimin e përdorimit të teknologjive të avancuara në hetimet financiare, luftën kundër krimit kibernetik dhe gjurmimin e pasurive në kriptovaluta, duke e cilësuar analizën financiare dhe teknologjinë blockchain si elemente kyçe të hetimeve moderne.
“Për sa i përket rekomandimit të katërt dhe të pestë që lidhen me zgjerimin e përdorimit të teknologjive të avancuara në hetimet financiare, krimin kibernetik dhe pastrimin e parave te kriptovalutat, SPAK vlerëson instrumentet që rrisin kapacitetet e gjurmimit të pasurive dhe rrjeteve financiare. Kjo kërkon fuqizimin e hetuesve financiarë, zgjerimin e aksesit në databazat shtetërore, përdorimin e mjeteve analitike dhe zhvillimin e kapaciteteve për analizimin e të dhënave dixhitale dhe të teknologjisë blockchain. Këto fusha nuk janë më mbështetëse të hetimit penal, por ato janë kthyer në një pjesë thelbësore të hetimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit modern”, u shpreh ai.
Në raportimin e tij, Braho njoftoi se Prokuroria e Posaçme ka hartuar një metodologji të unifikuar për zhvillimin e hetimeve, në përputhje me vendimet e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Rekomandimi i gjashtë ka në fokus unifikimin dhe standardizimin e metodologjisë hetimore. Prokuroria e Posaçme ka ngritur një grup pune të posaçëm për unifikimin dhe standardizimin e metodologjisë hetimore, veçanërisht në mbledhjen dhe administrimin e provave dhe aplikimin e masave të sigurimit, në përputhje me vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe jurisprudencës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Të gjitha këto masa të kombinuara me angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë për asistencë teknike dhe ekspertizë, synojnë të sigurojnë një zbatim efektiv dhe të strukturuar të rekomandimeve në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare”, shtoi ai.
Lidhur me çështjet e prapambetura, Braho deklaroi se strategjia për uljen e stokut të dosjeve ka dhënë rezultate konkrete, duke sjellë reduktimin me mbi 70% të çështjeve më të vjetra dhe uljen e numrit të procedimeve të regjistruara në vitet 2020 dhe 2021.
“Rekomandimi i shtatë lidhet me finalizimin e akteve të mbetura nënligjore dhe me masat për reduktimin e çështjeve të prapambetura. Prokuroria e Posaçme pas një pune të koordinuar dhe të strukturuar, ka finalizuar dhe miratuar strategjinë për reduktimin e çështjeve të mbartura 2020-2023. Kjo strategji është miratuar në datën 4 gusht 2023. Strategjia ka hyrë në fazën e zbatimit praktik duke dhënë tashmë rezultate konkrete dhe të matshme në përputhje me objektivat dhe me afatet e parashikuara në të, dhe konkretisht në lidhje me normën e reduktimit të çështjeve me mbi 70% me reduktimin, mbi 10% të çështjeve të regjistruara në vitin 2020 dhe më përpara, si dhe me reduktimin deri në 20% të çështjeve të regjistruara në vitin 2021. Për SPAK-un ky nuk është vetëm një përmirësim statistikor, ai tregon se trajtimi i çështjeve të vjetra është kthyer në një proces që po monitorohet në mënyrë periodike. Qëllimi ynë është që reduktimi i backlog-ut të vijojë në mënyrë të qëndrueshme duke garantuar njëkohësisht dhe cilësinë e hetimit, respektimin e të drejtave procedurale dhe përfundimin e çështjeve brenda afateve sa më të arsyeshme”, shtoi ai.
Kreu i SPAK bëri të ditur gjithashtu se sistemi elektronik i menaxhimit të çështjeve është drejt konsolidimit të plotë, ndërsa Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) pritet të hapë së shpejti garën për 40 hetues të rinj, me fokus të veçantë në analizën e inteligjencës kriminale, hetimet financiare, kriptovalutat dhe krimin kibernetik. Në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, Braho tha se gjatë vitit 2023 SPAK ka marrë 95 kërkesa për ndihmë juridike nga 17 shtete dhe ka dërguar 156 kërkesa drejt 31 shteteve. Po ashtu, numri i skuadrave të përbashkëta hetimore është rritur nga 26 në 32. Ai theksoi se synimi i SPAK-ut mbetet ndërtimi i një institucioni më efektiv, më transparent dhe më të aftë për të përmbushur mandatin e tij kushtetues.
“Rekomandimi i tetë ka në objekt zbatimin efektiv të sistemit të menaxhimit të çështjeve dhe aktivizimin e plotë të moduleve të tij. Prokuroria e Posaçme gjatë vitit 2023 vijoi zbatimin dhe konsolidimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve, me synim aktivizimin e plotë të moduleve, të rritjes së efikasitetit dhe gjenerimin e statistikave në kohë reale. Sistemi është në fazën përfundimtare të konsolidimit dhe synimi është që të jetë në funksionalitet të plotë dhe të qëndrueshëm për të gjitha modulet brenda vitit 2024. Sistemi është një instrument praktik që ofron gjurmueshmëri, menaxhim ngarkese dhe raportim me cilësi më të lartë, gjithashtu ai forcon dhe disiplinën administrative të strukturës së posaçme.
Rekomandimi i nëntë lidhet me rritjen e efikasitetit institucional të BKH-së, përmes plotësimit të vakancave dhe sigurimit të kushteve të nevojshme për funksionimin e saj. Në këtë drejtim jemi në fazën e fundit përgatitore për hapjen e thirrjes për 40 hetues të rinj. Përveç plotësimit të vakancave, synimi është dhe riorganizimi më funksional i ndarjes së brendshme të BKH-së, duke i dhënë më shumë peshë përpunimit të informacionit kriminal, veprimtarisë operative taktike, gjurmimit të kriptovalutave dhe hetimit të krimit kibernetik. Ky riorganizim është i nevojshëm për t'ju përgjigjur natyrës së re të hetimeve ku provat dixhitale, analiza financiare dhe inteligjenca kriminale janë po aq të rëndësishme sa veprimet klasike procedurale.
Rekomandimi i dhjetë dhe i fundit lidhet me thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar. Gjatë vitit 2023 ky bashkëpunim është konkretizuar në 95 kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike të ardhura nga 17 shtete, si dhe 156 kërkesa të dërguara nga SPAK drejt 31 shteteve. Një tregues tjetër i rëndësishëm është dhe rritja e numrit të skuadrave të përbashkëta hetimore aktive nga 26 në numrin 32. Këto të dhëna tregojnë se bashkëpunimi ndërkombëtar nuk është më kanal komunikimi apo shkëmbim formal informacioni, por është pjesë e përditshme e hetimit penal, veçanërisht në çështjet ku veprimtaria kriminale, asetet, provat dhe personat e përfshirë shtrihen në disa juridiksione. Për këtë arsye SPAK do të vijojë të rrisë bashkëpunimin me Eurojust, Europol, me OLAF, me agjencitë e bashkimit evropian, partnerët strategjikë dhe autoritetet homologe me qëllim rritjen e shpejtësisë, cilësisë, efektivitetit të hetimeve në dimensionin ndërkombëtar.
Të nderuar deputetë, kjo pasqyrë e 10 rekomandimeve tregon se adresimi i tyre është kthyer në analiza, në metodologji, në sisteme dhe në masa konkrete organizative. Disa prej tyre janë realizuar, të tjera lidhen me procese më komplekse të cilat kërkojnë vëmendje, koordinim ndërinstitucional dhe konsolidim të mëtejshëm. Për SPAK-un, një rekomandim nuk konsiderohet i përmbushur vetëm sepse është miratuar një dokument apo është ngritur një grup pune. Përmbushja e tij matet me ndryshimin që sjell në praktikë, në cilësinë e hetimit, në administrimin e provave, në gjurmimin e pasurive dhe në qëndrueshmërinë e çështjeve para gjykatës. Synimi ynë është i qartë, që rekomandimet të mos rezultojnë të përmbushura vetëm në letër, por të kthehen në institucion në një institucion më të hapur dhe më efektiv në ushtrimin e mandatit kushtetues nga ana e SPAK-ut”, përfundoi Braho.
Lini një Përgjigje