
Rozeta Dobi, e dënuar për vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash nga banesa e ish-zyrtares së lartë Alda Klosi, është liruar këtë të mërkurë nga burgu i grave në Pojskë, pasi përfitoi nga amnistia penale e miratuar së fundmi.
Dobi u bë e njohur për publikun në fillim të vitit 2023, kur u arrestua nën akuzën e vjedhjes së 120 mijë eurove, 30 mijë dollarëve amerikanë dhe sendeve me vlerë nga banesa e Alda Klosit, ku punonte si pastruese prej disa vitesh.
Gjatë hetimeve, autoritetet zbuluan se shumat e përfituara nga vjedhja ishin edhe më të mëdha. Në kontrollin e banesës së Dobit, policia sekuestroi 404 mijë euro, 8 500 dollarë amerikanë dhe bizhuteri floriri të fshehura në tubin e aspirimit. Po ashtu, u sekuestruan edhe 58 150 euro, 7 mijë dollarë, 368 mijë lekë, si dhe tre automjete, dy prej të cilave dyshohej se ishin blerë me paratë e përfituara nga vjedhja.
Çështja mori jehonë të gjerë publike jo vetëm për shkak të shumave të mëdha të parave të sekuestruara, por edhe për hetimet që u zhvilluan mbi burimin e këtyre parave. Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, Rozeta Dobi është liruar nga burgu, duke përfituar nga amnistia penale.
Lini një Përgjigje