
Dy ditë më parë autoritetet italiane ligjzbatuese dhe ato shqiptare, të koordinuara nga Eurojust, ndërmorën operacionin e koduar ‘Ura’ për goditjen e një prej grupeve kriminale që vepronte në fushën e trafikut të narkotikëve, kryesisht kokainës dhe heroinës. GJKKO kishte firmosur 29 urdhër-arreste, ndërkohë që janë ekzekutuar vetëm 14, ndërsa zyrtarisht nuk janë bërë publike emrat e personave të arrestuar, apo atyre që janë shpallur në kërkim. Ajo që është publikuar në media është që ata që konsiderohen si koka të grupit kriminal nuk janë arrestuar.
Eksperti i sigurisë Faik Basha u pyet nga A2Cnn nëse mendonte se ka pasur një dekonspirim të operacionit?
Ai tha se kjo gjë nuk mund të thuhet, pasi qoftë autoritetet italiane, ashtu edhe SPAK nuk ka ngritur dyshime të tilla.
“E para është se pjesa më e madhe e hetimit është kryer nga Italia dhe nuk është se ka pasur shumë informacione për institucionet shqiptare.
Kemi pasur raste episodike të përfshirjes së BKH dhe SPAK, ndërsa policia është njoftuar vetëm 6 orë përpara se të niste operacioni, madje ka qenë i koduar”, tha Basha.
Por si shpjegohet që drejtuesit e grupit kriminal nuk u arrestuan?
Basha shprehet se ndoshta kjo ka lidhje me faktin se drejtues të grupeve apo organizatave kriminale, për shkak të operacioneve dhe hetimeve të mëparshme, por edhe përplasjeve që kanë pasur me rivalë të tyre, janë larguar nga Shqipëria.
Ai tha se të paktën në 10 ditët e fundit nuk ka informacione për këto persona, madje sipas tij, kjo del edhe nga vëzhgimi i BKH-së dhe organeve ligjzbatuese që kanë pasur si detyrë mbikqyrjen.
Lini një Përgjigje