
Ambasada e SHBA-ve ka zbardhur detaje nga takimet e Ndihmësdrejtorit të ICITAP në Departamentin e Drejtësisë, Stephen Fields me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, kreun e SPAK, Altin Dumani, Drejtorit të Policisë Ilir Proda, kreut të AMP-së Sulejmani dhe Burgjeve, Klevis Qose.
Gjatë vizitës Fields, u takua edhe me të Ngarkuarën me Punë, Nancy VanHorn, ku u diskutua për kartelet dhe krimin e organizuar.
Në fokus të bisedimeve ishte bashkëpunimi i mëtejshëm, forcimi i partneritetit, eliminimi i karteleve, krimit të organizuar ndërkombëtar dhe emigracioni i paligjshëm.
Selia diplomatike e SHBA në Tiranë në një njoftim zyrtar, ndau detaje nga kjo vizitë dhe takimet e Fields dhe delegacionit që e shoqëronte, bashkë me prioritetet e vendosura.
“Ai përcolli prioritetet e Prokurorit të Përgjithshëm të ShBA për të eliminuar kartelet, krimin e organizuar ndërkombëtar dhe emigracionin e paligjshëm”, thuhet mes të tjerash në postimin e ambasadës.
Gjithashtu u dhuruan 340 mijë dollarë pajisje për Burgjet nga ICITAP, DASH dhe Antiterrori i SHBA-ve. Vizita përfundoi me prezantimin e Çmimit të Ekselencës dhe akreditimin e parë ndërkombëtar IADLEST për Akademinë e Sigurisë.
“Ambasada e ShBA në Tiranë mirëpriti Ndihmës Drejtorin e ICITAP të Departamentit të Drejtësisë të ShBA, Stephen Fields, nga 19 deri më 23 maj. Gjatë vizitës së tij, Z. Fields u takua me të Ngarkuarën me Punë Nancy VanHorn, zyrtarë të Ambasadës dhe udhëheqës të institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri për të shprehur mirënjohjen për partneritetin e fortë me Shqipërinë. Ai përcolli prioritetet e Prokurorit të Përgjithshëm të ShBA për të eliminuar kartelet, krimin e organizuar ndërkombëtar dhe emigracionin e paligjshëm. Ndihmës Drejtori Fields zhvilloi takime me Ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, Kreun e SPAK Altin Dumani, Drejtorin e Përgjithshëm së Policisë së Shtetit Ilir Proda, Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Florian Sulejmani, Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Klevis Qose dhe të tjerë. Përveç kësaj, 340,000 dollarë në pajisje amerikane u transferuan në burgjet shqiptare përmes ICITAP dhe Byrosë kundër Terrorizmit dhe INL të Departamentit të Shtetit. Vizita përfundoi me prezantimin e Çmimit të Ekselencës dhe akreditimin e parë ndërkombëtar IADLEST për Akademinë e Sigurisë”, njoftoi Ambasada Amerikane në Tiranë.
Lini një Përgjigje