TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Maj 2025, 10:43

Administrata e Financave në Fushatë për ministrin, zyrat boshatisen në prag zgjedhjesh

Shkruar nga Pamfleti

 

Administrata e Financave në Fushatë për ministrin, zyrat
Petrit Malaj /

Petrit Malaj përdor administratën publike për të siguruar vota, ndërsa zyrat e shtetit që financohen me paratë e taksapaguesve, kyçen…

Gjatë javës që u mbyll, në zyrat e Ministrisë së Financave, përveç recepsionistëve dhe disa nëpunësve të nivelit ndihmës, nuk ishte i pranishëm asnjë drejtor, shef sektori apo punonjës tjetër, sikur çdo ditë të ishte fundjavë apo festë zyrtare.

Burime brenda institucionit bëjnë të ditur se zyrat kanë qenë të kyçura, pasi i gjithë stafi i ministrisë, bashkë me automjetet e institucionit, është transferuar për fushatë elektorale në Qarkun e Fierit, konkretisht në qytetet Fier, Lushnje, Patos, Roskovec dhe Mallakastër.

Ata kanë braktisur punën me urdhër të drejtpërdrejtë të ministrit të Financave, Petrit Malaj, duke u ndarë në grupe elektorale të drejtuara nga drejtorë dhe shefa sektorësh me origjinë nga zonat e Qarkut Fier, për të bërë fushatë pro Partisë Socialiste.

Sipas Kodit Zgjedhor, administrata publike e ka kategorikisht të ndaluar angazhimin në fushatë, por punonjësit janë urdhëruar nga ministri Malaj, i cili është edhe vetë kandidat për deputet në këtë qark. Askush prej punonjësve nuk ka guxuar ta kundërshtojë këtë urdhër elektoral, nga frika e shkarkimit të menjëhershëm, ndërsa urdhri për angazhim aktiv elektoral ka ardhur drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama.

“Pamfleti” ka siguruar informacione se punonjësit që po bëjnë fushatë në shërbim të Partisë Socialiste, po përdorin makinat e shtetit dhe po përfitojnë dieta financiare sikur të ishin në shërbim pune.

Detyra e tyre është që gjatë fushatës të bashkëpunojnë me drejtuesit dhe punonjësit e tatimeve, doganave dhe agjencive shtetërore rajonale në varësi të Ministrisë së Financave, duke ushtruar presion mbi bizneset lokale për të garantuar vota në favor të PS-së.

Petrit Malaj renditet i treti në listën e kandidatëve për Qarkun e Fierit, duke e pasur të sigurt zgjedhjen si deputet edhe pa bërë fushatë, megjithatë, kryeministri Rama i ka vendosur objektiva të caktuara votash që duhet t'i arrijë duke përdorur punonjësit publikë në mënyrë të paligjshme.

Ministri Malaj, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me kompanitë kontabiliste private që akuzohen për pastrim parash nëpërmjet bilanceve fiktive, u katapultua në krye të Financave nga grupe offshore mafioze brenda dhe jashtë Shqipërisë. Rama e vendosi atë në listën e sigurt të deputetëve, duke spostuar figura historike dhe dinjitoze të socialistëve të Fierit./Pamfleti

petrit malaj administrata e financave në fushatë

Lini një Përgjigje