Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e radhës për ish-zëvendës ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, i cili kërkoi zëvendësim të masës së sigurisë ‘arrest në burg’.
Ai akuzohet nga SPAK për dosjen e sterilizimit dhe për të është kërkuar në pretencë dënimi me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, nëse shpallet fajtor, përfiton uljen e 1/3 së dënimit, duke zbritur në 6 vite e 8 muaj burg.
Klodian Rjepaj mbahet në paraburgim lidhur me hetimet për dosjen “Sterilizimi”, ku dyshohet se ai ka konsumuar veprat penale 'Falsifikim të dokumenteve' dhe vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Përveç tij, në pranga për të njëjtën çështje u vendos edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili akuzohet për “Mashtrim”.
Akuzat për aferën e Sterilizimit
Për dosjen e “Sterilizimit”, ish-zv ministri Ilir Beqaj ndodhet në masën “detyrim paraqitje”, por u arrestua në korrik të vitit 2024 për një tjetër hetim, atë të SASPAC.
Ata do të gjykohen për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh.
Ndërkohë biznesmenin Ilir Rrapaj do të gjykohet për akuzën e vjedhjes dhe të grupit të strukturuar kriminal. Në bankën e të akuzuarve për falsifikim dhe shpërdorim të detyrës do të ulen dhe 6 persona të tjerë teknikë, pjesëtarë të komisionit të ofertave dhe të administratës publike.
Hetimet për koncesionin e sterilizimit janë kryer nga prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi. SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.
SPAK nisi hetimet në vitin 2020 dhe u mbyllën më 30 mars 2024. Beqaj pret gjykimin për dosjen e Sterilizimit ndërsa ndodhet në burg nën masën e sigurisë 'arrest me burg' për një tjetër dosje, atë të abuzimit me fondet e SASPAK. Ndërsa ish zëvendës ministri Klodian Rrjepaj dhe sipërmarrësi Ilir Rrapaj mbahen në arrest me burg për çështjen e sterilizimeve nga vera e vitit 2023. Ata thonë se koncesioni i sterilizimeve ka dhënë shërbim cilësor për qindra mijëra qytetarë në përputhje me standartet e BE-së.
Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdorur detyrën ndërkohë që sipas akuzës Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin Ilir Rrapaj. Ndër gjetjet e konstatuara nga SPAK janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin por dhe mos realizimi i kushteve të parashikuara në kontratë. Ndërsa sipas SPAK, kostot e sterilizimit janë rritur në mënyrë fiktive.
Lini një Përgjigje