TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Korrik 2025, 13:47

Aksioni i IKMT për ndërtimet pa leje, kujt i përkiste pallati që u konfiksua në Vlorë

Shkruar nga Pamfleti
Aksioni i IKMT për ndërtimet pa leje, kujt i përkiste pallati
Pallati i konfiskuar

Një pallat në qytetin bregdetar të Vlorës është konfiskuar dhe tashmë i ka kaluar shtetit. Konfiskimi vjen gjatë aksionit për lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje.

Në terren zbritën inspektorët e IKMT dhe drejtoresha Dallëndyshe Bici, e cila thotë se të gjitha subjektet që kanë shkelur apo do të shkelin lejen e ndërtimit, do të kenë të njëtin fat, pra konfiskimin.

“Në vazhdën e kontrolleve, ky objekt do të konfiskohet dhe do ti kalojë shtetit për interes publik. Të njëjtin fat do të kenë të gjithë ato subjekte që rezultojnë me leje ndërtimi, por që kanë ndërtuar në shkelje brutale të lejes së ndërtimit duke cenuar interesin publik. Do inspektojmë objektet me apo pa leje ndërtimi”, tha Bici për “Report Tv”.

Paralajmërimi për konfiskimin e këtij pallati u dha nga vetë kryeministri Rama gjatë një takimi me deputetë, drejtorë bashkish e drejtues politikë, i cili tha se aksioni për ndërtimet pa leje nuk është shtrirë vetëm në Theth, por ka goditur edhe të ashtuquajturit oligarkë të bregdetit.

Bici ka inspektuar disa kantiere ndërtimi në Vlorë, për të siguruar se ato përmbushin standardet ligjore dhe nuk prekin hapësirat publike apo pronat shtetërore.

Ajo ishte e pranishme edhe te pallati që u konfiskua. Bëhet fjalë për një ndërtesë që kishte marrë leje për ndërtimin e 8 kateve, papafingo dhe një kat nëntokë. Zhvilluesi është ‘Armeer Konstruksion’ dhe Fatmir Halla.

IKMT pritet të përgatisë një raport të detajuar mbi gjetjet në terren, ndërkohë që kryeinspektorja ka paralajmëruar masa ndaj subjekteve që rezultojnë në shkelje të ligjit për territorin. Mësohet se më herët IMT ka vendosur tre gjoba me 50 milionë lekë secila për shkelje të lejes.

Lini një Përgjigje