Një valë intensive e të nxehtit ka përfshirë Evropën Perëndimore dhe Qendrore, duke detyruar autoritetet në Francë, Spanjë, Itali, Gjermani dhe shtete të tjera të vendosin nivelet më të larta të alarmit meteorologjik. Sipas BBC, temperaturat në disa zona pritet të tejkalojnë 40 gradë Celsius.
Në Francë, mbi gjysmën e rajoneve janë nën alarm të kuq. Parashikimet meteorologjike tregojnë se temperaturat në Bordo mund të arrijnë deri në 42°C. Si pasojë e kushteve ekstreme, 845 shkolla janë mbyllur, ndërsa shumë institucione të tjera arsimore kanë reduktuar orarin e mësimit.
Situata është shoqëruar edhe me një ngjarje tragjike. Dy fëmijë, të moshës 2 dhe 4 vjeç, janë gjetur pa shenja jete brenda automjetit të familjes së tyre në jug të Francës. Autoritetet po hetojnë rastin dhe dyshojnë se vdekja e tyre lidhet me temperaturat e larta, të cilat në zonë arritën deri në 39°C.
Edhe Spanja po përjeton temperatura rekord. Shërbimi meteorologjik “Aemet” ka paralajmëruar se termometri mund të shënojë deri në 44°C, ndërsa në disa rajone është shpallur alarmi i kuq.
Në Itali, alarmi i kuq është vendosur në 12 qytete, mes tyre Milano, Torino, Venecia, Bolonja, Firence dhe Roma. Vendi po përballet prej disa ditësh me temperatura që kalojnë 35°C.
Ndërkohë, në Gjermani temperaturat kanë shkuar deri në 38°C. Gjatë fundjavës, pesë persona humbën jetën në incidente të ndodhura gjatë notit.
Në Greqi, zjarrfikësit vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll një zjarr të madh pyjor, i cili është favorizuar nga temperaturat e larta dhe erërat e forta.
Sipas meteorologëve, kjo valë e të nxehtit po ushqehet nga masa ajrore shumë të nxehta që vijnë nga Shkretëtira e Saharasë dhe mund të renditet ndër periudhat më të gjata të temperaturave ekstreme të viteve të fundit.
Kulmi i temperaturave pritet të regjistrohet nesër, kur në Paris termometri mund të arrijë deri në 41°C.
Autoritetet franceze paralajmërojnë se kjo valë e të nxehtit do të jetë “e përhapur, afatgjatë dhe intensive”, ndërsa lehtësimi i kushteve atmosferike nuk pritet të ndodhë përpara fundit të javës.
Lini një Përgjigje