
SPAK goditi grupin e trafikut të kokainës dhe sekuestroi 128 mln euro, ku Adjon Hanxhari dhe kompania e tij Hanxhari Group dyshohen të jenë të përfshirë në pastrimin e parave të drogës përmes investimeve në ndërtim
Disa ditë më parë, SPAK finalizoi operacionin për goditjen e një prej grupeve më të fuqishme të trafikut të kokainës nga Kolumbia, Ekuadori, Bolivia, Paraguai, Uruguai, Porto-Riko e Brazili drejt Europës, me protagonist mafiozin Artur Shehu. Grupi operonte në trafikun e tonelatave të kokainës, grabitje pronash dhe pastrimin e parave të drogës në kulla dhe resorte. SPAK sekustroi mbi 128 milionë euro të lidhura me projektin në Zvërnec ku ishte i përfshirë Artur Shehu, rreth 40 makina luksoze, kontrata, kompani etj.
Përpos kompanive të lidhura drejtëpërdrejtë me emrat e 20 anëtarëve të grupit, organizata dyshohet se ka përdorur edhe disa kompani të tjera satelite për pastrimin e parave të pista, të lidhura indirekt, me qëllim për t'i shpëtuar veprimit të drejtësisë. Një nga kompanitë e dyshuara satelite të anëtarëve të grupit që u godit nga SPAK-u është edhe Hanxhari Group, e cila zotërohet nga Adjon Hanxhari, djali i ndërtuesit vlonjat, Fatmir Hanxhari.
Adjon Hanxhari është lidhje e ngushtë e grupit të Alfredo Hamzait, i cili sipas SPAK ka trafikuar tonelata kokaine, duke i pastruar paratë në ndërtim. Emri i Adjon Hanxharit, ndonëse i skeduar për atentate dhe rrahje grash, doli në skenë kur arriti të merrte një leje nga Edi Rama për një kullë 47 kate përballë Ambasadës Amerikane, atje ku dikur ka qenë ambasada franceze.
Kulla që do t'i zinte diellin Ambasadës Amerikane, duke kompromentuar jo pak sigurinë e selisë diplomatike më të rëndësishme në vend, vuri në lëvizje edhe Departamentin Amerikan të Shtetit, pas denoncimit të një prej pronarëve të pretenduar të truallit ku ishte planifikuar ndërtimi, por edhe pas disa sinjalizimeve se përmes kësaj kulle do të pastroheshin dhjetëra milionë euro para kokaine. Hanxhari Group është themeluar në tetor të vitit 2018. Një vit para se të merrte lejen për kullën, kompania regjistroi një xhiro totale prej 2.35 milionë euro dhe fitim neto prej 110 mijë eurosh. Sipas bilancit zyrtar, vlera e aseteve të kompanisë është 11.9 milionë euro. Por nga këto rreth 11.7 milionë janë detyrime, ndërsa kapitali i vet kompanisë është vetëm 230 mijë euro.
A mundet një kompani me këta tregues financiarë të realizojë një investim kaq të madh si kulla 47 katëshe, që do t’i zërë diellin ambasadës Amerikane, kostoja e së cilës mund të jetë edhe mbi 100 milionë euro? Ndërsa bankat kanë filluar të jenë të kujdesshme në kreditimin e kullave të larta, dosjet e SPAK-ut kanë treguar se financimet vijnë nga paratë e drogës. Ose në raste të tjera, pas ndërtuesve që marrin lejet në letër, qëndrojnë të tjerë persona të fshehtë, kryesisht figura të krimit.
Pas ndërhyrjeve diplomatike, disa javë më parë, Këshilli Kombëtar i Territorit vendosi të shfuqizojë lejen e ndërtimit për Embassy Tower, kullën 47 katëshe ngjitur me Ambasadën Amerikane. Por, kompania Hanxhari Group, me kapital qesharak, është përfshirë në ndërtime të tjera nga Vlora në Tiranë, ndërsa emri i Adjon Hanxharit lidhet edhe me disa kompani tê tjera me aktivitet të dyshimtë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje