
Mëngjesin e sotëm Arbër Paplekaj ka mbërritur në Gjykatën e Elbasanit nën shoqërimin e forcave të shumta të sigurisë. Paplekaj është i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.
Ai ishte pjesë e grupit të mbrojtjes së votës, të ngritur nga Partia Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit dhe shkoi në lagjen 5 Maji pasi kishin konstatuar një person me lista votuesish dhe që shpërndante para në këmbim të votës. Në përplasje e sipër, u vra Pjerin Xhuvani si edhe u plagosën disa të tjerë.
Për këtë ngjarje kanë dëshmuar në gjykatë 12 dëshmitarë. Paplekaj akuzohet edhe për plagosjen e oficeres së policisë, Xhensila Sota.
Si ndodhi ngjarja e 21 prill të 2021
Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota. Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend. Këtë e bëri publik me zë dhe me figurë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi duke bërë me dije se Arbër Paplekaj që vrau Xhuvanin të paarmatosur, ishte pjesë e kësaj strukture.