TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Korrik 2025, 17:40

ARRSH më në fund kujtohet për ngrehinën Tiranë-Durrës, tender emergjent për të mbuluar gropat nga Ura e Dajlanit në Vorë

Shkruar nga Pamfleti

ARRSH më në fund kujtohet për ngrehinën

Autostrada Tiranë-Durrës, një nga arteriet kryesore të vendit, është prej kohësh kthyer në ferrin e përditshëm të mijëra drejtuesve të mjeteve. Me gropa që shfaqen përditë, asfalt të shkatërruar dhe bllokime të pashmangshme, ky segment jetik rrugor është bërë shembulli më i qartë i një infrastrukture të braktisur nga shteti.

Pas shumë ankesash dhe reagimesh publike, qeveria më në fund ka pranuar se gjendja është emergjente. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur një tender të posaçëm me vlerë 77 milionë lekë, rreth 770 mijë euro, për rikonstruksionin urgjent të segmentit më të dëmtuar: Vorë – Ura e Dajlanit. Në këtë pjesë, sipas ARRSH-së, dëmtimet përfshijnë rrjetëzime, gropëzime të thella dhe degraduar të thellë të nënshtresave. “Shtresa e asfaltobetonit dhe binderit është e konsumuar dhe e rrjetëzuar në rreth 25% të sipërfaqes dhe shtresa e konglomeratit bituminoz është e dëmtuar në rreth 30%”, thuhet në dokumentin zyrtar.

Ndërhyrja teknike do të përfshijë skarifikimin (heqjen) e shtresave të dëmtuara, rivendosjen e binderit dhe tapetit me trashësi specifike (6cm + 4cm), si dhe aplikimin e sinjalistikës horizontale me bojë bikomponente. Segmentet më të prekur ndodhen në dalje të Vorës, hyrje-dalje të Gjirit të Lalzit, te Bistro Sukthi dhe mbikalimi i Shkozetit – zona që çdo ditë shkaktojnë nervozizëm, aksidente dhe vonesa të pafundme.

Ironikisht, tenderi i emergjencës vjen në pikun e sezonit turistik, kur trafiku në këtë aks arrin kulmin dhe çdo vonesë në punime mund të sjellë kaos të shtuar. Tani mbetet vetëm të shihet nëse kjo ndërhyrje do të jetë realisht “urgjente” apo një tjetër manovër kozmetike për të mbyllur gojët e zemëruara.

Lini një Përgjigje