
PS-PD sërish bashkë për të ndihmuar Eni Vasilin...
Radiotelevizoni Publik duket se prej vitesh ka qenë një çerdhe abuzimi. Edhe pse shteti jep miliona fonde dhe po ashtu fitohen shuma të mëdha nga dekoderat dhe tarifa e qytetarëve, sërish RTSH del me humbje.
Pasi u emërua në krye të televizionit me shumë bujë dhe ndihmën e PD dhe të PS, Eni Vasili tani ka kërkuar ndihmën e tyre për të nxjerr televizionin nga gremina. Paraardhësit e Vasilit kanë bërë pa fund dallavere dhe RTSH ka 6 milionë euro detyrime.
Sot një tryezë diskutimi ka bashkuar drejtuesit e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) me përfaqësues të komisionit parlamentar të mediave dhe AMA-s, ekspertë të medias, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe organizatave vendase e të huaja.
Nevojën për një reformë të qëndrueshme e nënvizoi kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH, Fatjon Hoxholli. Sipas tij, RTSH-ja ka nevojë urgjente për një formulë të re financimi. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe nënkryetari i Këshillit Drejtues, Petrit Beci, i cili më parë ka drejtuar RTSH-në.
Duke u ndalur tek situata financiare, Beci tha se problem qendror është se aktualisht RTSH ka 6 milionë euro borxhe dhe po rriten përditë.
Ndërsa Eni Vasili paralajmëroi se do të ketë ristrukturim total të RTSH, çka do të thotë se mund të kemi furtunë largimesh. Po ashtu ajo kërkoi rroga më të mira. Pra edhe pse RTSH është në borxhe, drejtoresha kërkon trajtim më të mirë financiar.
“Stafi i RTSH-së duhet të trajtohet me më shumë dinjitet, kushte pune të përmirësuara dhe trajtim më të mirë financiar. Ndërkohë RTSH duhet të rikthehet në rolin e saj historik si një shkollë mediatike që formon dhe përgatit brezat e rinj... Çdo kanal i RTSH-së duhet të ketë profil tematik të mirëpërcaktuar, për të garantuar qartësi për publikun dhe për të rritur ndikimin në segmentet përkatëse të audiencës. Në përputhje me praktikat më të mira europiane për mediat publike, nevijitet që strukturimi për RTSH të ndjekë modelin 2 plus 7; dy kanale bazë të përgjithshme pra RTSH 1 dhe RTSH 2 dhe 7 kanale tematike me funksione të qarta, ku çdo kanal të ketë identitet dhe strukturë programore të dedikuar. Një programacion i bazuar në formate që kanë në fokus informacionin e përditshëm dhe temat aktuale nga e hëna në të premte do të reflektojë më mirë standardet e kërkuara”, tha Vasili.
Ndërkohë PS e PD janë bërë sërish bashkë për t’i dalë në mbështetje Eni Vaislit. Kryetarja dhe nënkryetarja e Komisionit të Medias, Ina Zhupa dhe Evis Kushi, shprehën njëzëri dakordësinë në mbështetje të projektit të frymës së re në RTSH.
Lini një Përgjigje