
Gazetari investigativ, Artan Hoxha, deklaroi se prej shumë vitesh ngjarja e 21 janarit 2011 me 4 të vrarë po shfrytëzohet politikisht.
Sipas Hoxhës është e qëllimshme që hetimi i kësaj ngjarjeje të rëndë po zhvillohet në Prokurorinë e Tiranës dhe jo nga SPAK-u.
Hoxha tha gjithashtu se edhe riekspertimi i predhës që u gjet në kokën e viktimës Aleks Nikës në Itali është i qëllimshëm për të fituar kohë, sepse ekspertimi është bërë nga FBI.
“Në fillim të janarit të vitit të kaluar unë nxora një video, një regjistrim që provonte se vrasjet janë bërë me urdhër, pra që Garda e Republikës ka qëlluar me urdhër dhe ai është dhënë nga drejtuesit, respektivisht drejtori i Gardës.
Mbi këtë denoncim bërë kallëzim në SPAK edhe PS-ja edhe ministria e Drejtësisë. Të dy këto kallëzime janë rrëzuar nga SPAK-u, që ka thënë se çështjen po e heton Prokuroria e Tiranës.
Si është e mundur që një çështje kaq e rëndësishme, me 4 të vrarë në bulevard, ja lënë ta hetojë një prokurore e vetme.
Në momentin që jam thirrur janarin e kaluar për të dëshmuar dhe për të dorëzuar regjistrimin, nuk e kemi dorëzuar origjinalin sepse mendojmë se rrezikojmë burimin e informacionit, nëse hetimin nuk e merr SPAK-u.
Fakti që një vit nuk ka ndodhur asgjë, na jep të drejtë që nuk e kemi dorëzuar. Kjo ngjarje po shfrytëzohet politikisht, ndaj dhe kam qenë skeptik, sidomos për familjen e Aleks Nikës, sepse nuk ka të autor ende edhe sot.
Gjatë një viti Prokuroria e Tiranës nuk ka bërë asgjë. Dëgjova para ca ditësh se plumbi që u gjet në kokën e Aleks Nikës se është çuar në një laborator italian. Predha është ekspertuar nga laboratori më i mirë në plan, atë të FBI-së.
Predha është dërguar para 9 muajsh dhe nuk ka ardhur akoma. Kjo bëhet vetëm për të përfituar kohë, për ta shtyrë nga viti në vit.
Mos po mbahet zvarrë kjo çështje qëllimisht?
Nuk është pyetur kurrë ish-kryeministri Berisha, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha, ish-presidenti Bamir Topi, ish-prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, ish-shefi i opozitës Edi Rama.
Ne kërkojmë t’ia japim origjinalin e regjistrimit për urdhrin e vrasjeve prokurorit Altin Dumani, por nuk mund të rrezikojmë jetën e atij që e ka bërë. Janë urdhëra për vrasje, për të qëlluar në mish. Për 15 sekonda janë 4 të vrarë dhe 31 të plagosur, por mund të ishin 30 të vrarë të tjerë, por i ka shpëtuar Zoti.
Ka ndodhur vetëm një gjë këtë vit: Gjykata e Strasburgut ka dhënë një vendim që ka damkosur shtetin shqiptar si vrasës të atyre 4 demonstruesve. Që autoritetet nuk e kanë hetuar çështjen kanë sabotuar hetimin, kanë prishur provat. Ta çosh Berishën te penxherja për një VKM, ndërkohë që ke të vrarët.
Zgjidhja është që prokuroria e Tiranës shpall moskompetencë në bazë të vendimit të Strasburgut dhe ia kalon SPAK-ut që ne të kemi një hetim real të kësaj çështjeje”, tha Hoxha në emisionin “Të Paekspozuarit”.
Lini një Përgjigje