TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Shkurt 2026, 11:50

Banorët e Thumanës sërish në protestë: Skandal, na premtuan dalje në autostradë dhe gënjyen!

Shkruar nga Pamfleti
Banorët e Thumanës sërish në protestë: Skandal, na
Banorët në protestë

Për të tretën herë radhazi, banorë të fshatrave të Njësisë Administrative Thumanë dolën sot në protestë pranë nënkalimit të autostradës Thumanë–Kashar, duke bllokuar qarkullimin në shenjë kundërshtimi ndaj gjendjes së rrugës së Gramzës.

Sipas banorëve, segmenti prej rreth 500 metrash është dëmtuar rëndë nga qarkullimi i automjeteve që devijojnë nga autostrada, kryesisht mjete të tonazhit të rëndë. Ata akuzojnë Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Bashkinë Krujë për mungesë investimi dhe mirëmbajtjeje.

“Këto makinat e mëdha na e kanë dëmtuar, 500 metra rrugë është. Vij prej pune nga Thumana deri në Gramës, dua tre orë të shkoj në shtëpi. 500 metra rrugë është, të na e shtrojnë me asfalt. Të mos kalojnë makinat e tonazhit të rëndë, ose të bëjnë rrethrrotullimin. Erdhën hodhën çakëll për t’i mbyllur sytë njerëzve”, u shpreh një nga protestuesit.

Një tjetër banor theksoi se kërkesa e tyre është minimale, të shtrojnë vetëm 500 metra rrugë.

“Nuk është hera e parë që po bëhet protesta, nuk po kërkojmë diçka të veçantë, 500 metra rrugë ta shtrojnë se nuk i kushton asnjë. Ky ka qenë asfalt i rregullt, e kanë prishur. Një rrugë 500 metra duam, një ditë punë e kanë. Na premtuan dalje në autostradë, kjo është skandal. Kalojnë makinat e tonazhit të rëndë”, tha ai.

Protestuesit i bënë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë për rikonstruksionin e rrugës, duke e cilësuar situatën si të papranueshme për komunitetin lokal. Ata paralajmëruan se do të vijojnë reagimet nëse nuk merren masa konkrete.

Lini një Përgjigje