Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për dosjen “Partizani”.
Kryedemokrati u prit nga mbështetësit e tij jashtë godinës së Prokurorisë së Posaçme, ku pasi i përshëndeti, u fut brenda ambienteve të SPAK.
Pasi kreu detyrimin e tij ligjor, Berisha lexoi mesazhin që la në SPAK.
"Së pari njëherë të gjithë atyre që na ndjekin, u uroj gëzuar Vitin e Ri 2026. Një vit me më të mirat për ata dhe më të dashurit e tyre.
Këtu në Skap lashë këtë shënim: Altin Troplinit, Pajës së Skapit (i mbeti atij, nuk ia vura unë, që kur e fali atë Elvis Doçin, ai mbeti Paja i Skapit) armikut të pluralizmit politik dhe avokatit të McGonigalit, me garanci se krimet e tij nuk do mbeten pa ndëshkimin e merituar ligjor", deklaroi Sali Berisha.
Sali Berisha akuzohet se në cilësinë e kryeministrit të kohës, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi për ndërtimin e pallateve në truallin e ish-kompleksit sportive Partizani.
Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion, por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Lini një Përgjigje