
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka dhënë bilancin paraprak të situatës së krijuar nga reshjet e dendura që prej katër ditësh kanë përfshirë disa qarqe të vendit. Ai foli nga qendra lëvizëse e Emergjencave Civile dhe deklaroi se Shqipëria po përballet me një front me reshje të pandërprera dhe intensitet rekord që ka shkaktuar përmbytje në ultësirën perëndimore dhe zonat lumore.
Vengu tha se qarqet më të prekura janë Lezha, Dibra, Fieri, Berati, Korça, Gjirokastra dhe Vlora. Ai theksoi se strategjia e emergjencave është bazuar në paralajmërim, parandalim dhe mbështetje të banorëve të zonave me rrezik. Sipas tij menaxhimi i kaskadës së Drinit ka shmangur një situatë që mund të kthehej në katastrofë në zonën e Shkodrës. Ministri raportoi për evakuime të përkohshme në disa bashki. Në Vlorë janë evakuuar 52 familje ndërsa në qarkun e Korçës 18 familje.
"Deri më sot zonat më të prekura janë qarqet e Lezhës, DIbrës, Fierit, Beratit, Korçës, Gjirokastrës dhe Vlorës. Strategjia jonë u bazua në paralajmërim;parandalim dhe mbështetje të banorëve të bashkive më të prekura. Nga ana tjetër, menaxhimi i kaskadës së Drinit pavarësisht prurjeve të mëdha anësore, evitoi atë që potencialisht mund të ishte kthyer në një katastrofë në zonën e Shkodrës", tha Vengu.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 1000 banesa janë dëmtuar nga depërtimi i ujit. Në Korçë raportohen 300 banesa të prekura. Në Lezhë 600 banesa. Në Fier 25 banesa dhe në Vlorë 52 banesa. Kreu i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, Haki Çako, tha se pjesa më e madhe e familjeve të evakuuara janë kthyer në shtëpi që pas stabilizimit të nivelit të ujit. Ai shtoi se banorët po merren me pastrimin e shtëpive ndërsa familjet e tjera do të kthehen sapo të krijohen kushtet.
"Një pjesë e konsiderueshme e tyre, atje ku janë krijuar kushtet optimale për t’u kthyer na banesa, janë kthyer në banesa dhe po merren me pastrimin dhe sistemin e banesave. Pjesa tjetër do të kthehet pasi të krijohen kushtet", tha Çako.
Lini një Përgjigje