Aktualitet 9 Dhjetor 2023, 09:56

'BIRN': Skandali i djegësit të Tiranës u ka kushtuar 100 milionë euro deri tani shqiptarëve

Shkruar nga Pamfleti

'BIRN': Skandali i djegësit të Tiranës u ka kushtuar

Një vendim i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lëshoi pesëmbëdhjetë masa sigurie për zyrtarë dhe biznesmenë, në lidhje me hetimin për skandalin e inceneratorit të Tiranës, përfshirë zyrtarët që dhanë koncesionin kontrovers. Disa zyrtarë, sakaq në burg për vepra penale në lidhje me dy inceneratorët e tjerë, në Elbasan dhe në Fier, morën masë shtesë sigurie ndërsa biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të cilët janë aktualisht në arrati, u pajisën me një masë tjetër sigurie “arrest me burg”.

Taulant Tusha, drejtor i Shërbimeve Publike në Bashkinë Tiranë dhe njëkohësisht, anëtar i Këshillit Drejtues të UKT, mori masën e sigurisë arrest me burg. Masa të tilla sigurie u lëshuan edhe për Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Erjon Muratajn, Bledar Karolin, Namik Simixhiun, dhe Jetmir Llapajn.

Në masë sigurie arrest shtëpie u lanë Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Sidita Tola.

Operacioni policor për ekzekutimin e masave të sigurisë është ende në zhvillim në kohën e publikimit të këtij lajmi. Deri më tani nuk është e sigurt se cilat masa sigurie janë ekzekutuar dhe cilat jo.

Inceneratori i Tiranës është projekti më i madh mes tre projekteve kontroverse të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilat premtuan, përkundër këshillave të ekspertëve dhe të Bashkimit Evropian, të ndërtonin inceneratorë për djegien e mbeturinave. Në gusht të këtij viti, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës duke argumentuar se hetimet paraprake kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, aktualisht në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash për dy inceneratorët e tjerë, Elbasanin dhe Fierin.

Kompania Integrated Energy B.V u themelua në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë, ka faturuar qytetarët shqiptarë në mënyra të ndryshme, përfshirë përmes sistemit fiskal për qeverinë apo përmes tarifave të detyrueshme për depozitim mbetjesh.

Të dhënat e bilancit të kompanisë të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se mes viteve 2017 dhe 2021, qytetarët i paguan Integrated Energy BV së paku 7.9 miliardë lekë në formën e tarifave koncesionare dhe tarifave të shërbimit të depozitimit. Në vitin 2021, të ardhurat e kompanisë arritën në 2.6 miliardë lekë. Bilanci i vitit 2022 nuk është depozituar deri më tani në QKB, por të dhënat e pagesave të thesarit të buxhetit të shtetit tregojnë se nga 1 janari 2022 deri më sot, kompania ka përfituar edhe 2 miliardë lekë të tjera. Duke marrë parasysh këtë dhe të ardhura të tjera që kompania faturon për depozitimet, deri në kohën e sekuestrimit në gusht 2023, fusha e mbetjeve të Tiranës duket se u ka kushtuar taksapaguesve minimalisht 100 milionë euro.

Inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit i kanë kushtuar veçmas së bashku rreth 50 milionë euro./BIRN

veliaj djegesat tirane