Vrasja e Kalasë ndez "revoltën" në drejtësi, gjyqtarët kërkojnë siguri dhe përgjegjësi nga shteti...
Gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë kanë dalë sot me një deklaratë të përbashkët, pas mbledhjes së mbajtur në Tiranë, në vijim të ngjarjes së rëndë të ndodhur më 6 tetor, ku u vra në detyrë gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja.
Deklarata, e lexuar nga gjyqtarja Albana Boksi, theksoi se kjo ngjarje nuk është vetëm një humbje njerëzore, por një goditje për sistemin e drejtësisë dhe për vetë shtetin e së drejtës. Sipas saj, “politika duhet të ndalë gjuhën e sulmeve dhe urrejtjes ndaj drejtësisë”, ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të përmbushë detyrimet institucionale pa vonesa.
Në deklaratën e lexuar publikisht, gjyqtarët theksojnë se klima e sulmeve, fyerjeve dhe kërcënimeve ndaj gjyqtarëve ka krijuar një mjedis të pasigurt dhe të papranueshëm për ushtrimin e funksionit gjyqësor. Ata kërkuan masa konkrete për rritjen e sigurisë në gjykata, përfshirë krijimin e një force të posaçme sigurie, ndërtimin e protokolleve të reagimit ndaj incidenteve, si dhe miratimin e një strategjie kombëtare për ndërtimin dhe pajisjen e godinave gjyqësore.
Gjithashtu, në dokumentin e përbashkët propozohet krijimi i një Forumi Kombëtar për Sigurinë Gjyqësore, hartimi i një platforme kombëtare për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe përfshirja e institucioneve përkatëse në këtë proces, si Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, KLGJ, KLP dhe Policia e Shtetit.
Në nivel institucional, gjyqtarët kërkuan nga KLGJ të ushtrojë mandatin e saj kushtetues me më shumë vendosmëri, ndërsa nga Kuvendi dhe Qeveria, miratimin e masave për përmirësimin e kushteve të punës në gjykata dhe garantimin e sigurisë fizike të gjyqtarëve dhe stafit gjyqësor.
Në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, u kërkua që atij t’i njihet statusi “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa salla e mbledhjeve pranë KLGJ-së të marrë emrin e tij.
Gjyqtarët u shprehën se nuk do të lejojnë që heshtja të interpretohet si dobësi, duke theksuar se pavarësia e gjyqësorit nuk është privilegj, por një garanci për qytetarët. Deklarata mbyllet me zotimin se sistemi gjyqësor do të vijojë punën me paanshmëri dhe integritet, pavarësisht sfidave që po përjeton.
DEKLARATA E GJYQTARËVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në këtë ditë të rëndë për drejtësinë shqiptare, gjyqtarët e Republikës, të bashkuar në një zë, shprehin dhimbjen e thellë, tronditjen njerëzore dhe indinjatën institucionale për ngjarjen tragjike që i mori jetën kolegut tonë, gjyqtarit Astrit Kalaja.
Kjo nuk është vetëm humbja e një njeriu të drejtësisë — është një plagë për gjithë sistemin, një goditje ndaj shtetit të së drejtës dhe një sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Vrasja e një gjyqtari në sallen e gjykimit është kufiri i fundit i cenimit të sigurisë dhe dinjitetit të drejtësisë.
Në këtë moment dhimbjeje e reflektimi, ne deklarojmë me vendosmëri:
Drejtësia nuk do të përkulet.
Asnjë akt dhune, kërcënimi apo fushatë urrejtjeje nuk do ta ndalë gjyqtarin shqiptar nga përmbushja e detyrës së tij kushtetuese. Pavarësia e gjyqësorit nuk është privilegj, por garanci për çdo qytetar që kërkon mbrojtje përmes ligjit.
Ngjarja e rëndë është pasojë e një klime të helmuar fyerjesh dhe kërcënimesh ndaj gjyqtarëve, e ushqyer nga gjuha e urrejtjes dhe ndërhyrjet e papërgjegjshme që kanë minuar besimin publik. Kjo klimë duhet të marrë fund.
Ne, gjyqtarët e Republikës, nuk do të lejojmë më që heshtja të interpretohet si dobësi. Do të reagojmë me dinjitet dhe përgjegjësi. Nuk kërkojmë privilegje — kërkojmë siguri, respekt dhe kushte për ushtrimin e ndershëm të detyrës.
Kjo ngjarje është një thirrje për veprim institucional. Sistemi gjyqësor po përballet me mungesë sigurie, godina të amortizuara, ngarkesë të papërballueshme pune dhe mungesë mbështetjeje. Drejtësia ka nevojë për forcim, për kushte të sigurta dhe për institucione që veprojnë, jo që heshtin.
Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të reagojë me forcë, përgjegjësi dhe guxim institucional. Kjo nuk është thirrje për konflikt, por për përgjegjësi. Po kështu, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të marrin përgjegjësinë për gjendjen ku ndodhet sot drejtësia. Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi të pavarur, nëse nuk garanton kushtet minimale për ushtrimin e saj. Siguria në gjykata është kusht për ekzistencën e shtetit të së drejtës.
Në këtë frymë reflektimi dhe uniteti Mbledhja e Gjyqtareve të RSH shpreh vullentin e qartë mbi këto angazhime:
1. Siguria gjyqësore
- Krijimi i një Grupi Ndërinstitucional me përfaqësim nga KLGJ, KLP, MD, MB, Polica e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese për organizimin e një Forumi Kombëtar për Sigurinë Gjyqësore.
- Hartimi i një Platforme Kombëtare për Sigurinë e Gjyqtarëve dhe Gjykatave.
- Vendosja e një force të posaçme sigurie në gjykata dhe ndërtimi i protokolleve të reagimit ndaj incidenteve.
-Hartimi dhe zbatimi i një Platforme Kombëtare për Sigurinë Gjyqësore.
-Miratimi dhe zbatimi i menjëhershëm i masave konkrete për garantimin e sigurisë fizike në gjykatë dhe kushteve të ushtrimit të funksionit gjyqësor.
-Ndërhyrje të menjëhershme në ligjet ose aktet nënligjore që rregullojnë sistemin gjyqësor për të garantuar siguri fizike, jetësore, shëndetësore dhe pasurore për gjyqtarët dhe stafin e gjykatave.
-Miratimin e një strategjie kombëtare për ndërtimin e godinave të gjykatave në të gjithë territorin e RSH.
-Inspektim kombëtar i gjykatave për siguri, akses dhe kushte pune. Standardizim i procedurave të sigurisë dhe trajnime për menaxhimin e krizave. Pajisja e të gjitha gjykatave me skaner dhe dedektor për garantimin e sigurisë në gjykata.
2. Përfaqësimi institucional dhe organizimi i brendshëm
- Krijimi i dy grupeve të përhershme pune pranë Këshilit të Lartë Gjyqësor për ideimin e nismës për ndryshime të akteve ligjore dhe nënligjore në lidhje me statusin e magjistratëve dhe për organizimin e sistemit gjyqësor.
- Ndërgjegjësimi publik dhe bashkëpunimi me median.
- Promovim i një komunikimi profesional që shmang gjuhën denigruese. Refuzim i gjuhës së urrejtjes, fyerjeve dhe kërcënimeve si normalitet në diskursin publik dhe politik ndaj gjyqtarëve.
- Përgjegjësi dhe veprim institucional
- Nxitje për KLGJ që të ushtrojë me forcë mandatin kushtetues.
- Kërkesë që Kuvendi dhe Qeveria të marrin masa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës në gjykata.
- Angazhime morale e profesionale të gjyqtarëve
- Përkushtim për gjykim në kohë, vendime të arsyetuara dhe qëndrueshmëri në jurisprudencë.
- Pranim i përgjegjësisë për forcimin e brendshëm të sistemit si themel i autoritetit moral të drejtësisë.
3. Në kujtim të gjytarit të rënë në krye të detyrës, Astrit Kalaja
-Njohja e statusit “Dëshmor i Atdheut” gjyqtarit Astrit Kalaja.
-Salla e Mbledhjeve të Gjyqtarëve pranë godinës së KLGJ të marrë emrin e të ndjerit gjyqtar Astrit Kalaja.
Ngjarja e 6 Tetori nuk duhet të mbetet kujtesë e dhimbshme, por moment zgjimi kombëtar për drejtësinë shqiptare.
Ne nuk kërkojmë keqardhje — kërkojmë veprim.
Sepse një gjyqtar i pambrojtur është një drejtësi e pambrojtur, dhe një drejtësi e pambrojtur është një qytetar pa shpresë.
Ne angazhohemi solemnish që, pavarësisht tronditjes, të vijojmë të gjykojmë me paanshmëri, ndershmëri dhe kurajë.
Drejtësia shqiptare nuk dorëzohet, ajo ringrihet.
Drejtësia nuk do të ndalet.
Ajo do të vazhdojë të veprojë me guxim, për të mbrojtur lirinë, të drejtat dhe dinjitetin e çdo qytetari shqiptar.
Hipokrizi totale.Shfrytezojnë te ndjerin Në vend qe të heqin dore korrupsioni dhe nga sorollatjet e qyretareve nëpërmjet përdorimit kriminal të legjislacionit për kthimin e çështjeve gjyqesore për rigjykim në vend qe ti gjykojnë me themel na bljnë shenjtorin .. Këta me gjyqet qe nuk mbarojnë kurre me vendimet e padrejta janë fajtoret e vertete ,vrasesit e shqiptareve
Gjyqtarë hajdutë shifi nga ftyrat si jane....
Ne kete rast kini plotesisht te drejte dhe ju perkrahim por fatkeqesisht jini nga i njejti brum me politikanet e koruptuar dhe korupsioni nje dite do vije dhe me ngjarje te tilla. Ky mund te jete vetem fillimi.