Skema që nuk shuhet: si ringrihen rrjetet mashtruese pas çdo goditjeje
Rrjeti i call centera-ve mashtrues në Tiranë vijon të tërheqë vëmendje në mediat e huaja. Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit OCCRP, i ka kushtuar një artikull aksionit të fundit të policisë dhe prokurorisë, ku u goditën disa qendra në Tiranë që mashtronin qytetarë në Austri dhe vende të tjera.
Sipas OCCRP rrjetet e call center-ave mashtrues në Tiranë operojnë me struktura të mirëorganizuara dhe janë të vështira për t’u çmontuar, pavarësisht ndërhyrjeve të autoriteteve.
Sipas artikullit, këto qendra funksionojnë si kompani të rregullta, me ndarje të qartë rolesh dhe menaxhim hierarkik. Ato kanë ekipe të dedikuara për marketing, shërbim klienti, financë dhe IT, ndërsa operatorët organizohen në grupe të vogla që targetojnë tregje të ndryshme sipas gjuhës.
Mashtrimet fokusohen kryesisht në investime të rreme online. Viktimat tërhiqen përmes reklamave bindëse dhe më pas kontaktohen nga persona që prezantohen si këshilltarë financiarë. Përmes komunikimit të vazhdueshëm dhe presionit psikologjik, ata i bindin të transferojnë shuma të konsiderueshme parash, të cilat nuk investohen kurrë.
Një element kyç është përdorimi i gjuhës së viktimës për të krijuar besim, si dhe përdorimi i softuerëve që u japin mashtruesve akses në pajisjet e tyre. Në disa raste, viktimat kontaktohen sërish me premtimin për rikuperim të fondeve, duke u mashtruar për herë të dytë.
OCCRP thekson se organizatorët e vërtetë shpesh nuk ndodhen fizikisht në këto qendra, por operojnë në distancë përmes menaxherëve lokalë. Kjo u mundëson rrjeteve të zhvendosin shpejt aktivitetin nëse një qendër zbulohet.
Shkrimi nënvizon gjithashtu se këto rrjete nuk veprojnë të izoluara. Ato bashkëpunojnë duke ndarë lista viktimash, teknika mashtrimi dhe kanale për transferimin dhe pastrimin e parave, duke krijuar një ekosistem të ndërlidhur kriminal.
Sipas OCCRP, Ballkani Perëndimor është kthyer në një terren të favorshëm për këto aktivitete, për shkak të një fuqie punëtore të re dhe të arsimuar, por me mundësi të kufizuara punësimi, ndërsa aktiviteti maskohet shpesh si biznes i ligjshëm.
Për rrjedhojë, edhe pse operacionet policore kanë çuar në arrestime dhe sekuestrime, ekspertët vlerësojnë se ndikimi i tyre mbetet i kufizuar përballë një industrie që përshtatet shpejt dhe operon në shkallë ndërkombëtare.
Pas gati dy vitesh hetime dhe koordinimi, policia zbuloi në mes të prillit tre call center të përfshirë në skema mashtrimi me investime online. Në këto ambiente ishin punësuar qindra të rinj, të cilët kryenin thirrje drejt qytetarëve europianë, kryesisht nga Gjermania dhe Austria, duke i bindur të investonin në platforma financiare që rezultonin mashtruese. Pasi viktimat depozitonin paratë, ato zhdukeshin pa lënë gjurmë. Në pranga ranë 10 perona dhe u kapën afro 1 mln euro kesh. /Pamfleti
Lini një Përgjigje