
U ngritën shumë pyetje në lidhje me efektivitetin e skemës, ndërsa kritikët e quajtën atë një shpërdorim të parave publike...
Qeveria britanike duket se ka dështuar me fushatën e nisur muaj më parë përmes së cilës synonte te dekurajonte emigrantët e paligjshëm të synonin Mbretërinë e Bashkuar. Një seri videosh që publikoheshin në rrjetet sociale, përfshi edhe ato në gjuhën shqipe, përmes historive të treguara, synonin të ulnin shifrat e emigrantëve që zbarkonin në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar, kryesisht përmes varkave të vogla.
Një projekt që kushtoi disa miliona paund nuk ka dhënë rezultatet e pritshme, që duket se është shkaku kryesor që Qeveria e Keir Starmer të ndalte më tej fushatën.
Një fushatë e kushtueshme e financuar nga qeveria në mediat sociale për të penguar migrantët shqiptarë të lëvizin ilegalisht në Britani është anuluar pasi u ngritën shqetësime në lidhje me efektivitetin e saj.
Video të emigrantëve shqiptarë që flisnin hapur për vështirësitë e jetesës në Britani u postuan në Instagram, Facebook dhe TikTok në një skemë që nisi nën konservatorët në vitin 2023. Të botuara nën titullin Histori nga Britania, videot e përshkruanin vendin si fanatik dhe Brexit-in si të keq.
Ndërsa Qeveria nuk e konfirmoi koston e projektit, ai u financua nga Ministria e Jashtme si pjesë e fushatës së saj prej 3.75 milionë paund në vit për të luftuar “migrimin e parregullt shqiptar”.
Megjithatë, The i Paper zbuloi më parë se një raport i Ministrisë së Jashtme kishte vënë në pikëpyetje shanset e suksesit të një fushate të tillë, me një dokument të brendshëm që vinte në dukje se kishte “prova të kufizuara mbi efektivitetin e një qasjeje komunikimi bindëse”.
Qeveria u përball me reagime të ashpra për fushatën, e cila u quajt një "dështim i kushtueshëm", që shpërdoroi paratë e taksapaguesve.
Tani, Qeveria ka konfirmuar se fushata ka përfunduar, por se “luftimi i migracionit të parregullt dhe mbrojtja e kufijve të Britanisë” mbetet një përparësi.
Fushata që e dekurajoi Britaninë
Fushata bazohej në postimet në mediat sociale për të portretizuar një pamje negative të Britanisë, me imazhe bardh e zi që tregonin vitrina dyqanesh të mbyllura, të mbuluara me grafite, apartamente në gjendje të rrënuar dhe grumbuj mobiljesh të thyera, të hedhura pranë një kompleksi banimi.
Ata nxorën në pah problemet e kostos së jetesës, gjendjen e dobët të strehimit dhe vështirësitë për të gjetur punë.
Kjo pasoi rritjen e ndjeshme të migrimit të paligjshëm shqiptar, me shumë njerëz që udhëtonin me anije të vogla, në vitin 2022. Shifrat kanë rënë ndjeshëm që atëherë, pjesërisht për shkak të një skeme për të kthyer shtetasit shqiptarë pa të drejtë qëndrimi, por qindra njerëz ende udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Në një video, një emigrant shqiptar tha se Brexit dhe kriza e kostos së jetesës ia kishin vështirësuar jetën.
“Erdha këtu me vizë. Ka pasur shumë ndryshime, veçanërisht në 8 vitet e fundit për shkak të Brexit-it dhe disa ndryshimeve të tjera për shkak të pandemisë që kaluam. Shumë gjëra kanë ndryshuar dhe kostoja e jetesës është bërë shumë e lartë”, tha ai.
Në një tjetër video, një e diplomuar tha se ka pasur vështirësi të futet në profesionin e saj të zgjedhur dhe ka vuajtur nga diskriminimi, ndërsa ka qenë në Mbretërinë e Bashkuar .
Vendimi për të hequr dorë nga fushata, e drejtuar nga një kompani ndërkombëtare me seli në Ëestminster, nuk e habiti Daniel Sohege, drejtorin e konsulencës për të drejtat e njeriut Stand for All, i cili tha: “kjo nuk është as hera e parë që është miratuar një politikë e tillë, dhe çdo herë ata kanë rezultuar të jenë joefektive dhe të pakuptimta.”
“Njerëzit nuk zgjedhin vendin në të cilin po kërkojnë azil sikur të ishte ndonjë lloj pakete pushimesh që kanë parë në internet. Në rastin e shqiptarëve në veçanti, shumë prej tyre trafikohen në vend, me pak të drejtë për të thënë se çfarë u ndodh atyre nga ata që i shfrytëzojnë”. /Përshtatur nga The i Paper/
Lini një Përgjigje