TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Qershor 2026, 21:58

Dervishi: Kjo nuk është protestë politike, tregon refuzim total të një elite të konsumuar

Shkruar nga Pamfleti

Dervishi: Kjo nuk është protestë politike, tregon refuzim total

Gazetari Lutfi Dervishi e ka cilësuar protestën e ditëve të fundit si një revoltë të brezit të ri kundër një elite politike që, sipas tij, është konsumuar, komprometuar dhe ka humbur besimin e qytetarëve.

Ai tha se protestuesit nuk kërkojnë thjesht ndryshime politike, por një model krejtësisht tjetër të funksionimit të vendit.

"Kjo është revolta e këtij brezi që thotë se nuk ka më asnjë lidhje me ju. Nuk duan të shohin televizorin, nuk duan të dëgjojnë intelektualët që janë përzgjedhur prej tyre në Kuvend dhe kërkojnë diçka të re, të cilën ende nuk po arrijnë ta artikulojnë plotësisht. Ata kërkojnë një vend tjetër, nuk duan këtë lloj vendi dhe kjo lidhet me pamundësinë e njerëzve për të jetuar normalisht," u shpreh Dervishi për "A2 CNN".

Sipas gazetarit, reagimi i menjëhershëm i qeverisë pas ngjarjes në Zvërnec tregon se ekzekutivi e kuptoi shpejt peshën e situatës dhe pasojat që mund të sillte revolta qytetare.

"Qeveria është kapur në befasi. Jo sepse nuk e kuptoi çfarë po ndodhte, por sepse e ndjeu menjëherë se po vinte një tërmet politik. Shkarkimi i drejtorit të policisë, arrestimet dhe heqja e gardhit brenda 24 orëve tregojnë se u kuptua se ishte një vullkan që nuk mbahej dot. Ajo që ndodhi nuk ishte një episod i izoluar, por pasqyroi një mendësi ku Policia e Shtetit shfaqet e nënshtruar përballë disa individëve që sillen si shtet," deklaroi ai.

Dervishi theksoi se qeveria tashmë përballet me një realitet të ri, ku nuk ka më vetëm opozitën përballë, por edhe një audiencë të re që shpreh pakënaqësinë në forma të ndryshme, përfshirë rrjetet sociale.

"Qeveria është mësuar të luajë në një fushë të pabarabartë me opozitën. Sot i ka dalë përballë një audiencë e re që e sfidon edhe me meme, një audiencë globale dhe gjithashtu njerëz që dikur kanë pasur status brenda Partisë Socialiste e që sot po artikulojnë pakënaqësitë e tyre. Kjo tregon se PS ndodhet në një betejë në disa fronte njëkohësisht. Në vend që të bëjë veting protestuesve, ndoshta do të ishte më e dobishme të shihte me të njëjtën lupë administratën dhe drejtuesit e saj," tha gazetari.

Ai kritikoi gjithashtu, mungesën e reagimit institucional ndaj kërkesave të protestuesve, duke u ndalur veçanërisht te roli i Kuvendit.

"Kuvendi sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Në një demokraci normale, parlamenti dhe partitë politike do të diskutonin menjëherë arsyet pse këta të rinj kanë dalë në rrugë dhe çfarë duhet ndryshuar. Në vend të reflektimit, debati është zhvendosur te UÇK-ja, Kosova apo tema të tjera që nuk kanë lidhje me protestën. Të përdorësh patriotizmin për të shmangur problemet reale është mënyra më e gabuar për t'iu përgjigjur një revolte qytetare," përfundoi gazetari.

gazetari lutfi dervishi proteste

1 Komente

  1. P
    Pak nga të gjitha

    I shkreti Dervish nuk ka kuptuar asgjë nga protesta… nuk e dallon dhunën e saj dëshirën fëminore për revolucion pêr shkatrim të shtetit… i shkreti Dervish nuk e di se shteti zhvillohet me evolucion të ngadaltë e mbështetur në zhvillim ekonomik jo në me shkatrim e rifillim nga zero.I shkreti Dervish ashtu si demostrata e dhunshme se kupton se shteti ka ligje institucione dhe rregullatorë të tjerë që mund të evulohen vazhdimisht por jo të prishen e të fillojnë nga zero … I shkreti Dervish i zhgënjyer e mllefosur si qen i rrahur ashtu si demonstruesit se kupton se askush se përfaqson popullin pa votim I shkreti Dervish përfaqsues i mjerimit intelektual e gazetaresk nuk ka kuptuar asgjë se dhuna sjell shkatrim e qorrollisje me humbje të mëdha; se shteti nuk është emri i një kryeministri po fillon nga emri i çdo vetje që jeton në atë shtet ku përfshihet dhe Dervishi i shkretë

    Lini një Përgjigje