
Në mes të akuzave dhe dyshimeve për manipulim të votës së emigrantëve shqiptarë, DHL ka thyer më në fund heshtjen. Kompania postare ka reaguar zyrtarisht për mënyrën se si menaxhoi transportin e fletëve të votimit për zgjedhjet e 11 majit, duke mohuar çdo përfshirje në lojëra politike apo financiare. Reagimi saj është dhe një përgjigje ndaj KQZ, e cila e akuzoi se theu kontratën me pajtimin e kompanive nënkontraktore.
Në një deklaratë DHL Albania ka “lartë duart”, duke mohuar çdo parregullsi. “DHL Albania, si pjesë e rrjetit global DHL me prani në më shumë se 220 vende, realizoi këtë projekt kompleks në një afat rekord, duke garantuar procesimin dhe dorëzimin e materialeve zgjedhore me saktësi, siguri dhe transparencë të plotë”, thuhet në njoftim.
Sipas kompanisë, për këtë operacion u angazhua një avion i dedikuar që fluturoi çdo ditë deri në afatin e fundit të vendosur nga KQZ-ja, ndërsa procesi u mbikëqyr në kohë reale nga Qendra Evropiane e Kontrollit të Cilësisë me seli në Gjermani.
Përsa i përket pretendimeve të ngritura nga opozita për mosrespektim të kontratës dhe dyshime për ndërhyrje në disa shtete, DHL i cilëson këto si të pavërteta. Kompania pranon se kishte sfida, por thekson se i përballoi me infrastrukturë moderne dhe profesionalizëm.
“Sfidat e mëdha –nga kufizimet kohore deri te kompleksiteti gjeografik dhe problematikave në cilësinë e të dhënave në dispozicion – u tejkaluan me profesionalizëm, duke përdorur teknologjinë dhe infrastrukturën e përparuar të DHL. Integriteti i shërbimit të DHL është i padiskutueshëm dhe i pakompromentueshëm ndaj çdo interesi, financiar apo politik”, thuhet më tej.
Por pavarësisht pretendimeve të kompanisë, të gjithë e dimë se shumë qytetarë nuk e morën zarfin në kohë. Shumë shkuan në pikat postare, ndërsa të tjerëve postieri vetëm sa ja u dha dhe nuk shkoi ta merrte pas.
Lini një Përgjigje