TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Tetor 2025, 18:43

Dita e 11-të e grevës në Marinzë, naftëtarët denoncojnë presione psikologjike e ekonomike (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Dita e 11-të e grevës në Marinzë, naftëtarët

Greva e punonjësve të kompanisë “Bankers Petroleum Albania” në Marinzë të Fierit ka hyrë në ditën e saj të 11-të, ndërsa grevistët raportojnë për presione të forta psikologjike dhe ekonomike nga kompania.

Disa prej punonjësve që kishin bojkotuar punën për të mbështetur grevën janë rikthyer në vendin e punës, por nuk janë më pjesë e protestës, duke thënë se janë detyruar për shkak të vështirësive financiare.

“Po mbijetojmë me shpirt ndër dhëmbë,” shprehen grevistët, të cilët thonë se do ta vazhdojnë qëndresën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Pa sindikata, nuk ka demokraci dhe ka ardhur koha që kjo thirrje të buçasë fuqishëm për të kthyer dinjitetin e punonjësve. Presioni dhe intimidimi i kompanisë ka qenë kaq i fortë, sa disa prej kolegëve janë detyruar të rikthehen në punë. U kanë vendosur në fyt litarin e bukës, bukën e fëmijëve, por ne nuk do të dorëzohemi”, tha grevisti Dritan Rrapushi, përfaqësues i Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur.

Greva, e cila nisi më 15 tetor, është organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur, e cila kërkon rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës. Aktualisht, paga mesatare e punonjësve në Marinzë është rreth 60 mijë lekë, ndërsa grevistët kërkojnë që ajo të arrijë 100 mijë lekë në muaj.

 

 

 

Lini një Përgjigje