Aktualitet10 Dhjetor 2023, 09:27

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, ambasada e SHBA në Tiranë: Të gjithë mund të ndihmojmë në krijimin e një shoqërie të barabartë

Shkruar nga Pamfleti

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, ambasada e SHBA

Sot është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948 në Palais de Chaillot, Paris, lindi si përgjigje ndaj tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe përfaqëson përpjekjen e parë globale për të artikuluar mbrojtjen e atyre të drejtave që shumë persona besonin se ishin të drejta themelore që i takojnë të gjitha qenieve njerëzore.

Në një reagim të bërë në rrjetin social Facebook, ambasada e SHBA-ve në Tiranë shkruan se kjo ditë është kujtesë se ne të gjithë mund të ndihmojmë në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë për çdo qenie njerëzore.

“Dita e të Drejtave të Njeriut | Sot shënohet 75 vjetori i një prej zotimeve globale më novatore në botë: Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Dita e të Drejtave të Njeriut shënon gjithashtu fundin e fushatës botërore të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Kjo ditë është një kujtesë se, përmes veprimeve tona, ne të gjithë mund të ndihmojmë në krijimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë për çdo qenie njerëzore pavarësisht nga raca, ngjyra, feja, gjinia, gjuha, opinionet politike ose opinionet e tjera, kombësia ose përkatësia sociale, pasuria, lindja apo përcaktime të tjera. Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin të drejtat e çdo njeriu”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Çfarë ndodhi më 10 dhjetor 1948

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nxori dhe shpalli Deklaratën Universale pёr të Drejtat e Njeriut. Pas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, të paraqitet, të lexohet dhe të shpjegohet sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukative të të gjitha vendeve dhe shteteve pa marrë parasysh statusin e tyre politik.

ambasada shba te drejta