Pas faqeve greke, edhe llogari të lidhura me propagandën ruse në “X” janë hedhur në sulm për projektet turistike në Zvërnec dhe Sazan. Debati që ka ndezur protestat në Shqipëri është përdorur tashmë edhe në rrjetet sociale ndërkombëtare, ku qarkullojnë akuza të forta, krahasime ekstreme dhe pretendime historike mbi ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit.
Në një prej postimeve që po shpërndahet në “X”, një influencer pretendon se ishulli i Sazanit do të kthehet në një ishull të ngjashëm me atë të Jeffrey Epstein, ndërsa akuzon qeverinë shqiptare se ka dorëzuar zona të mbrojtura natyrore te Jared Kushner.
“Duhet t’i kushtoni rëndësi Shqipërisë për momentin. Çfarë po ndodh atje është që Kryeministri Edi Rama ka shitur zonat e mbrojtura natyrore dhe të vetmin ishull te Jared Kushner për të bërë këtë resort gjigant. Nuk mund t’i shpikësh këto gjëra. Një ishull si të Jeffrey Epstein, këtë po bëjnë edhe në ishullin e Sazanit. Zonat e mbrojtura natyrore në zonën e Zvërnecit, aty është një manastir shumë i bukur për të krishterët ortodoksë. Natyra aty, jetojnë rreth 200 specie, 5 në rrezik. Dhe do ta shkatërrojnë prej disa njerëzve të pasur”, shprehet influenceri.
Akuza të ngjashme janë shpërndarë edhe nga llogari të tjera, të cilat e lidhin Sazanin me teori konspirative dhe me narrativën se ishulli po shndërrohet në një pronë private për interesa të familjes Trump.
“Në fund, dhëndri i Trumpit, Kushneri, dhe miku i tij Nat Rothschild e blenë ishullin grek të Sazanit për ta shndërruar në një ishull të ri Epstein?”, thuhet në një tjetër postim.
Në disa raste, propaganda ka marrë edhe ngjyrime historike dhe nacionaliste, duke e paraqitur Sazanin si “ishull grek” dhe duke përmendur pretendime për ngjarje të vitit 1914.
“Ishulli i Sazanit është ishulli grek i Sasonit, i njohur që nga lashtësia dhe i banuar nga grekët që prej vitit 1000 p.e.s. Në vitin 1914, ushtarët shqiptarë shkuan në ishull dhe masakruan 100 banorë grekë, burra, gra dhe fëmijë. Le të ndërtojë Kushneri hotele mbi varret e grekëve të vrarë”, shkruhet në një nga postimet.
Më herët, tema ishte marrë edhe nga faqe greke, të cilat e kanë paraqitur Zvërnecin si zonë greke dhe kanë akuzuar qeverinë shqiptare se po u merr pronat banorëve të zonës.
“Svërnica është një fshat grek jashtëzakonisht i bukur në rajonin e Vlorës. Qeveria shqiptare, së bashku me familjen Trump, po u sekuestron shtëpitë epirotëve të veriut në këtë zonë. Qeveria, sigurisht, po bën sikur nuk sheh, duke reaguar vetëm në mënyrë të vakët”, shkruajnë faqet greke.
Përfshirja e këtyre faqeve në debatin për Zvërnecin dhe Sazanin vjen në një moment kur protesta në Shqipëri po vijon prej disa ditësh, ndërsa qeveria e ka mbrojtur projektin si investim turistik. Nga ana tjetër, qytetarët që protestojnë kërkojnë anulimin e projekteve, duke ngritur shqetësime për mjedisin, pronat dhe ndikimin në zonat e mbrojtura.
Lini një Përgjigje