
Maryam Rajavit, drejtueses së kampit të muxhahedinëve në Manzë (MEK) i është ndaluar hyrja në Shqipëri. Mediat vendase shkruajnë se ky vendim ka ardhur pas kërkesës së SPAK me argumentin se Rajavit ka udhëhequr veprime terroriste ndaj Iranit.
Maryam Rajavi iku në Francë pasi policia shqiptare bastisi kampin e MEK me urdhër të SPAK në qershor dhe pas kësaj nuk është lejuar që të rifutet në Shqipëri. Mirëpo, theksojmë se deri më tani ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet shqiptare.
Kujtojmë se Policia organizoi një aksion të madh kontrolli në Manëz të Durrësit, ku u sekuestruan dhjetëra pajisje elektronike që përdoreshin nga anëtarët e MEK.
Kompjutera e sekuestruar brenda ambienteve të kampit “Ashraf 3”, më pas u dërguan për ekspertim kibernetik në laboratorin shkencor të SPAK. Pavarësisht kësaj situate, asnjë nga anëtarët e MEK nuk është arrestuar nga policia dhe SPAK.
Gjithashtu gjatë aksionit një bazë kibernetike u asgjësua brenda ambienteve të kampit “Ashraf 3”, e cila ka ngritur dyshime të forta se përdorej nga anëtarët e MEK, për të kryer sulme kibernetike ndaj vendeve të huaja.
Në tërësinë e veprimeve të kryera nga policia janë sekuestruar 96 njësi kompjuterike, 49 laptopë, 2 tableta dhe materiale shkresore. Gjatë kontrollit disa tentuan të djegin edhe serverët e dokumente të tjera, që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Po ashtu në Francë, autoritetet i mohuan muxhahedinëve disa kërkesa të njëpasnjëshme për organizime protestash.