Largimi i deputetes Mariana Koçeku nga Partia Socialiste dhe afrimi i saj me protestën qytetare ka ngjallur debate të shumta në opinionin publik. Ndërsa një pjesë e protestuesve e kanë parë këtë si një sinjal se pakënaqësia ndaj qeverisë po depërton edhe brenda radhëve të mazhorancës, ka edhe nga ata që mbeten skeptikë për motivet reale të këtij pozicionimi.
I pyetur nga gazetarja Edjona Dervishi në podkastin e Pamfletit “Të Pashoq”, Dritan Goxhaj u shpreh se nuk e konsideron largimin e Koçekut një arritje të protestës. Sipas tij, fakti që ajo është zgjedhur deputete nga lista e mbyllur e Partisë Socialiste lë vend për dyshime, ndërsa nuk përjashtoi as mundësinë që lëvizja e saj të jetë pjesë e një loje politike.
Dritan Goxhaj: Në foltore nuk mund të dalë një kryetar partie apo një deputet, sepse i jep kah politik protestës.
Mariana Koçeku mund të vijë sa të dojë në protestë. Por nëse do të flasë, duhet të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit.
Të gjithë deputetët mund të marrin pjesë në protestë, ata që e shohin se sistemi është i qelbur dhe ka nevojë për ndryshim. Por jo në foltore, sepse automatikisht i jepet një kah politik dhe shumë njerëz largohen.
Nuk kanë pse shqetësohen që shohin deputetë në protestë. Është një shesh publik dhe gjithkush ka të drejtë të qëndrojë aty. Protesta është gjithëpërfshirëse, jo përjashtuese. Sistemi duhet të ndryshojë për të gjithë.
Edjona Dervishi: Distancimi nga Partia Socialiste dhe bashkimi me protestën i Mariana Koçekut, për ju është i sinqertë apo ka një prapavijë?
Dritan Goxhaj: Unë po flas personalisht, jo në emër të grupit koordinues.
Edjona Dervishi: Mirë, si protestues.
Dritan Goxhaj: Si protestues, unë nuk e quaj arritje të protestës. Vazhdoj ta shoh me dyshim, për arsye se Mariana Koçeku është deputete nga lista e mbyllur e Partisë Socialiste, jo nga listat e hapura. Dhe të gjithë e dimë se si hyhet në listat e mbyllura. Po të mos jesh i besuar i kryetarit, nuk hyn dot aty.
Nuk e përjashtoj mundësinë që në një moment të caktuar ajo të jetë ndërgjegjësuar për atë që ka parë brenda sistemit.
Por mbetet një mundësi e vogël. Unë vazhdoj të besoj se mund të jetë një lojë individuale e Mariana Koçekut, ose e grupeve që e kanë sjellë aty, ose mund të jetë edhe një lojë e vetë partisë.
Lini një Përgjigje