Aktualitet13 Prill 2024, 15:15

Dumani kërkoi ndryshimin e ligjit për mandatin e prokurorëve/ Trenova: Kur ngritëm shqetësimet, askush s’na dëgjoi

Shkruar nga Pamfleti

Dumani kërkoi ndryshimin e ligjit për mandatin e prokurorëve/

Kreu i SPAK Altin Dumani gjatë raportimit në KLP, ngriti shqetësimin për përfundimin e mandatit të prokurorëve të cilët sipas ligjit nuk kanë të drejtë të rikandidojnë në detyrën aktuale.

Ish-prokurori i Krimeve të Rënda Gentian Trenova në një intervistë për emisionin “Fact Check” vuri në dukje se kur është ngritur ky shqetësim gjatë hartimit të reformës në drejtësi askush nuk i ka dëgjuar. 

"Ky shqetësim në një këndvështrim është i drejtë, por duhet parë në një kontekst më të gjerë se sa mandati i një prokurori 9-vjeçar. Nuk është vetëm një problematikë, ka një sërë problematikash që kanë lidhje me hartimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo pikë është ngritur si shqetësim që në fillim të hartimit të legjislacionit dhe s’është marrë në konsideratë nga ligjvënësit. Shqetësimi i ngritur që në hartimin e reformës ishte që nëse prokurori është në përfundim të mandatit a do ketë motivim për të vazhduar një hetim të rëndësishëm. Ose nëse mandati i tij mbaron dhe një dosje do lihet përgjysmë, a do ndikojë në ecurinë e çështjes. Ndoshta ligjvënësi ka menduar që s’duhet parë suksesi te individë të veçantë, por si strukturë në tërësi. Për gjyqtarët e posaçëm s’ka kufizim. Kështu është menduar në Kushtetutë për t’i krijuar një vazhdimësi në çështje.

Struktura e Posaçme është emëruar me prokurorë pjesë-pjesë. Kjo reformë dhe kjo strukturë e posaçme s’ka parashikim për të qenë e përjetshme. Kjo strukturë do ketë një vrull më të madh në periudha të ndryshme kohe. Fakti që është Prokurori e Posaçme në themel të saj ka përkohshmërinë e ekzistencës, dhe për një periudhë kohe. Nëse Shqipëria do futet në BE pas një dekade ndoshta s’do të jetë e nevojshme ekzistenca e kësaj gjykate dhe prokurorie”, tha ai për gazetarin Arsen Rusta.

Trenova e konsideroi të drejtë shqetësimin e Dumanit për implikim të eksponentëve të policisë në grupet kriminale.

"Ky si shqetësim ka qenë i drejtë dhe një nga arsyet kryesore pse u krijua BKH ishte për të shmangur këto raste. Sepse në shumë raste me përfshirje të Krimit të Organizuar, është shumë e vështirë që të gjesh një rast pa implikim, pa përfshirje të punonjësve të policisë, qoftë në nivel bazik, qoftë në nivele të larta. Duan një lloj garancie në veprimtarinë e tyre kriminale nga punonjësit e policisë që të mos goditen, ose që të marrin informacione që ata nuk po hetohen. Vazhdojnë që për hetimet kryesore kërkohet nevoja e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, në një farë mënyre nxjerr jashtë loje BKH-në”, shtoi Trenova.

I pyetur mbi dallimin mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda dikur, dhe SPAK-ut sot, Trenova thotë se tani organi është i decentralizuar, por prokurori është më pak i mbrojtur nga presioni i palëve në hetim, apo sulmet mediatike.

"Ka një ndryshim në mënyrën e organizimit të punës SPAK-u i tanishëm. Dikur Prokuroria ka qenë organ i centralizuar dhe prokurori ishte më i garantuar nga sulmi mediatik, apo presioni nga pala tjetër, sepse ishte vendimmarrje institucioni dhe jo individuale. Sot duke qenë që prokurori i SPAK është i pavarur, nuk konsultohet me drejtuesin e Prokurorisë, është vet zot i dosjes dhe duhet të vendosë edhe për akuzën, edhe për kërkesën për masë sigurie, sa do zgjasë hetimi, kjo krijon probleme. I vetmi kontroll që mund të bëhet është përmes gjykatës. Kjo ka më shumë anën e vet jo të mirë, sepse e vendos prokurorin përballë një rreziku qoftë mediatik, qoftë nga pala tjetër që hetohet dhe akuzohet. Kjo mund ta tulasë në goditjen e personazheve të rëndësishëm. Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë fuqizuar dhe mund ta vendosin një prekuror para shumë sfidash, mes punës dhe familjes së tij. Nuk po them eleminim fizik, por mund të gjenden metoda për ta shmangur nga dosja, për të nisur një hetim nga ILD-ja”, u shpreh ai.