
Situata në Britaninë e Madhe pritet të përkeqësohet pasi numri i emigrantëve pritet të rritet gjatë sezonit të verës.
Ish-oficeri i lartë detar britanik, Chris Parry kritikoi qeverinë britanike dhe franceze për dështimin për të goditur kontrabandistët e njerëzve dhe ata që përpiqen të hyjnë ilegalisht në vend.
Parry ka sugjeruar forcimin e teknologjisë për të identifikuar se kur nisen anijet nga Franca si dhe gjithashtu vendosjen e ‘sanksioneve politike’ ndaj francezëve nëse ata nuk luajnë rolin e tyre, raporton Daily Mail.
Parry, një admiral në pension i Marinës Mbretërore, tha për TalkTV se situata ka të ngjarë të përkeqësohet gjatë verës.
"Tani kemi atë që ne e quajmë sezonin e lundrimit me varkë dhe aktualisht, me legjislacionin dhe marrëveshjet në fuqi, ne do të jemi të mbingarkuar. Nëse mendoni se shifrat e vitit të kaluar ishin të këqija, do të jetë edhe më keq këtë vit. Qeveria e zgjedh këtë në mënyrë taktike, nuk shikon strategjinë e përgjithshme. Ne duhet t'i zbulojmë këta njerëz ndërsa po futen në ujë, jo kur vijnë në vendin tonë. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë është të kesh teknologji të mirë që t’i identifikojë nga ajri. Duhet edhe që francezët të luajnë rolin e tyre. Nëse francezët nuk zbatojnë ligjin dhe nuk na ndihmojnë, sepse kjo është një krizë humanitare që prek të dyja anët e Kanalit, duhet të aplikojmë sanksione politike. Unë dyshoj se BE do të ushtronte presion shumë të madh në MB nëse do të ishte anasjelltas”, tha Parry.
Më shumë se 1,100 emigrantë kaluan kanalin javën e kaluar, ndërsa më shumë se 4,500 e bënë vetëm në vitin 2023. Mes tyre ka pasur edhe shumë shqiptarë të cilët kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit. Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Britaninë e Madhe ku u takua me kryeministrin Rishi Sunak dhe nënshkruan një marrëveshje. Të gjithë shqiptarët që po e vuajnë dënimin në burgjet angleze, do të ekstradohen në atdhe dhe kjo gjë do të bëhet gradualisht.
Vizita e Ramës erdhi pas një retorike të ashpër që tensionoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër dhe e ka konsideruar një ‘pushtim’ emigrimin e shqiptarëve në Britani.