TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Qershor 2026, 15:00

Erion Veliaj në Administrative: Jam 500 ditë i pezulluar nga një noter me pesa, s'ka bërë magjistraturën!

Shkruar nga Pamfleti
Erion Veliaj në Administrative: Jam 500 ditë i pezulluar nga një
Erion Veliaj

Tirana po trajtohet si plaçkë nga njerëz që nuk janë votuar. Sot Tirana drejtohet nga njerëz që nuk i ka votuar asnjë njeri. Ju duhet t’i ktheni dinjitetin kësaj seance...

Gjatë seancës së zhvilluar në Gjykatën Administrative për padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndaj prokurorit Ols Dado, pati momente tensioni mes Veliajt dhe trupit gjykues.

Kryebashkiaku ngriti shqetësime lidhur me procesin dhe akuzoi prokurorin Dado për mungesë të përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Në fjalën e tij, Veliaj u ndal edhe te drejtimi i Bashkisë së Tiranës, duke deklaruar se prej 500 ditësh qyteti po administrohet nga persona që, sipas tij, nuk kanë marrë mandat nga votuesit.

Kryebashkiaku akuzoi Ols Dadon si një prokuror të paligjshëm që i ka shkatërruar jetën, duke thënë se as nuk denjon të vijë në gjyq. Kryebashkiaku thotë se është 500 ditë i pezulluar nga detyra nga një prokuror me pesa, ndërsa ngriti pyetjen se kush po i menaxhon shërbimet publike në kryeqytet. 

“Nga një i diplomuar me pesa, unë jam sot 500 ditë larguar nga detyra. Nuk po flas më për veten time, sepse nuk kërkoj mëshirë nga askush. Unë edhe në maternitet do të shkoj me polic.

Pas 500 ditësh, Olsi Dado nuk denjon të vijë. Kush i pastron plehrat? Janë bërë mullar. Kush i ndërton kopshtet? Sot Tirana po drejtohet nga njerëz që nuk i ka votuar askush. Ktheni solemnitetin e procesit”, tha Veliaj.

Në vijim, Veliaj tha se askush nuk është mbi ligjin, duke iu referuar në rastin konkret prokurorit Ols Dado.

"Por gjithashtu askush nuk duhet të jetë nën mbrojtjen e ligjit pa të drejtë. Avokati tjetër qesh, ka të drejtë që qesh, po unë jam këtu 500 ditë burg nga një noter me 5. Ols Dado nuk e ka bërë magjistraturën, e dinë të gjithë. A doli Bamir Topi dhe tha hapur “një shok do ja bënte shokut të vet”?

Është lënë qyteti 500 ditë pa qëndrim. Tirana po trajtohet si plaçkë nga njerëz që nuk janë votuar. Sot Tirana drejtohet nga njerëz që nuk i ka votuar asnjë njeri. Ju duhet t’i ktheni dinjitetin kësaj seance. Jo vetëm t’i thoni dikujt mos xhiro e mos qesh, por t’i thoni dhe dikujt tjetër mos gënje. Avokati ka të drejtë. Zot në këtë seancë jeni ju. Si na qenka KLGJ-ja? Nëse vazhdon ky arsyetim, atëherë kot sa presim…”, u shpreh Veliaj. 

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që i ka kërkuar Gjykatës që Veliaj të mos legjitimohet si paditës, nuk ka dërguar përfaqësues në seancën që po zhvillohet aktualisht. Ndërsa prokurori Dado ka dërguar në seancë avokatin mbrojtës. 

“KLP është në mungesë në gjithë këtë proces jo vetëm sot, KLP nuk kthen përgjigje, siç urdhëroni publikun të fshijë filmimet, urdhëroni KLP të përgjigjet, them se s’është detyrues e të mungojë një organ që s’ka tagër për tu shprehur, më mirë në mungesë të KLP se sa me mungesë”, tha Veliaj.

Veliaj ishte vetë i pranishëm në seancë, ndërsa gjyqi nuk u lejua të transmetohet live.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka paditur prokurorin e SPAK, Ols Dado dhe kërkon shfuqizimin e dekretit të presidentit që e ka emëruar prokurorin në detyrë në vitin 2008.

erion veliaj ne administrative

Lini një Përgjigje