TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Qershor 2026, 17:26

Çfarë ndodhi në Aruba? SPAK zbulon pazaret për truallin e shpronësuar nga shteti, milionat që përfitoi Artur Shehu

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë ndodhi në Aruba? SPAK zbulon pazaret për truallin e
Foto ilustruese

Nga Aruba te “Shkolla e Biçikletave”, SPAK zbardh skemën e pazareve me pronat

Zbardhen të tjera detaje nga takimi i famshëm në Aruba, ku u bënë bashkë kriminelë, biznesmenë dhe njerëz të qeverisë Rama.

Në dosjen e SPAK të siguruar nga “Pamfleti” jepen shumë detaje nga ai takim, ku është folur për tjetërsim pronash dhe pastrim parash. Personazhi në qendër të pazareve është Artur Sheu.  

Sipas materialit hetimor, takimet jashtë vendit lidhen me një seri veprimesh juridike dhe transaksionesh të kryera mbi një sipërfaqe trualli në rrugën “Dervish Hima” në Tiranë, pranë ish-stadiumit “Qemal Stafa”, pronë e cila më vonë u shpronësua nga shteti për projektin “Shkolla e Biçikletave”.

Në dosje thuhet se nga komunikimet e siguruara përmes platformës së enkriptuar SkyECC, përgjimet dhe informacionet e mbërritura nga autoritetet e drejtësisë në Belgjikë dhe Spanjë, rezulton se personat nën hetim kanë zhvilluar takime në Spanjë dhe në ishullin Aruba, në një periudhë kur po kryheshin edhe lëvizje intensive mbi pronën.

SPAK identifikon Artur Shehun si një nga personat kryesorë të përfshirë në zhvillimin e kësaj pasurie. Sipas hetuesve, në vitin 2018 bashkëpronarët e truallit kanë lidhur marrëveshje me Shehun, i cili mori përsipër nxjerrjen e dokumentacionit ligjor dhe zhvillimin e pronës, kundrejt përfitimit të 50 për qind të saj në rast realizimi të projektit.

Hetimi evidenton se gjatë viteve në vijim një numër bashkëpronarësh kanë kryer kontrata dhurimi në favor të Artur Shehut, duke i kaluar sipërfaqe të ndryshme toke. Sipas SPAK, këto veprime juridike dyshohet se janë përdorur për të maskuar natyrën reale të transaksioneve dhe për të fshehur pronësinë faktike mbi pasurinë.

Dosja përmend gjithashtu komunikime mes Artur Shehut, Adrian Ramës, Alfred Hamzait, Ardian Zykajt dhe Elton Memetit, ku diskutohen çështje që lidhen me pronën dhe zhvillimin e saj. Sipas SPAK, nga tërësia e veprimeve noteriale, komunikimeve dhe takimeve jashtë vendit krijohen dyshime se pasuria është transferuar në mënyrë të përsëritur mes personave të ndryshëm për të fshehur origjinën dhe kontrollin real mbi të.

Prona në fjalë, me sipërfaqe 5,269 metra katrorë, u shpronësua në vitin 2022 me vendim të Këshillit të Ministrave për projektin “Shkolla e Biçikletave”, kundrejt një vlere prej 352.8 milionë lekësh.

Sipas SPAK, hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rolin e secilit prej personave të përfshirë në këtë skemë dhe lidhjen e takimeve të zhvilluara në Aruba e Spanjë me veprimet e kryera mbi pasurinë.

Pjesë nga dosja e SPAK

Nga analizimi i veprimeve të kryera në lidhje me këtë pasuri, si dhe bisedat e përftuara nga përgjimet dhe komunikimet "SkyECC", provohet se personat nën hetim Artur Shehu, Adrian Rama, Alfred Hamzai, Ardian Zykaj dhe Elton Memeti kanë kryer veprime të kundërligjshme, të cilat përbëjnë pastrim të produkteve të veprës penale sipas nenit 287 të Kodit Penal.

Këto veprime konsistojnë në mbulimin e natyrës së vërtetë të disponimit, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, për të shmangur justifikimin e burimit të ligjshëm të të ardhurave, për shkak të vlerës që ka kjo sipërfaqe toke, nisur nga pozicioni i saj gjeografik dhe zhvillimi i zonës; transferimin e pasurisë tek disa persona nëpërmjet veprimeve të njëpasnjëshme, me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të përfituar nga të ardhura që rrjedhin nga aktiviteti kriminal; si dhe fshehjen e transferimit të pasurisë tek persona pa precedentë penalë, por që janë të lidhur me persona që kryejnë aktivitet kriminal. Sipas hetimit, këto fakte tregojnë se pasuritë zotërohen nga vetë personat nën hetim, por veprimet janë kryer për të fshehur lidhjen e tyre me tokën apo zhvillimin e saj, si dhe lidhjen me njëri-tjetrin. Këto veprime janë dokumentuar edhe në raste të tjera dhe tregojnë mënyrën e veprimit të këtij grupi kriminal.

Me vendimin nr. 207, datë 29.06.2009, të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, sipas ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës”, i ndryshuar, iu kthye shtetasve R. Grori dhe të tjerëve sipërfaqja e lirë prej 8,708.7 m², e përbërë nga parcelat S1 6,979 m², S3 608.5 m², S4 315.2 m², S5 139 m² dhe S7 667 m², e ndodhur në zonën kadastrale nr. 8160 në qytetin e Tiranës. Ndërkohë, iu njoh e drejta e kompensimit për sipërfaqet e zëna prej 4,771.5 m², të përbëra nga parcelat S1 864 m², S2 2,231 m², S5 126.5 m² dhe S6 1,550 m².

Parcela S1, e identifikuar me numër pasurie 6/380, Z.K. 8160, rruga “Dervish Hima”, Tiranë, me sipërfaqe 6,979 m², për shkak të regjistrimit të VKM-së nr. 797, datë 09.11.2016, është ndarë në dy pasuri. Pasuria nr. 6/437, volumi 47, faqja 27, Z.K. 8160, Tiranë, me sipërfaqe 1,710 m², për të cilën është lëshuar certifikatë pronësie më 28.03.2017, është shpronësuar në zbatim të vendimit nr. 797, datë 09.11.2016, të Këshillit të Ministrave për realizimin e projektit “Asfaltimi i rrugëve dhe trotuarit pranë stadiumit Qemal Stafa”. Pasuria nr. 6/438, volumi 47, faqja 28, Z.K. 8160, me sipërfaqe 5,269 m², është regjistruar në emër të bashkëpronarëve Grori, Dervishi, Nikolla, Rama etj., më 08.05.2017.

Nga të dhënat mbi historikun e veprimeve të kryera mbi këtë pasuri janë përftuar informacione të rëndësishme lidhur me veprime të kryera nga personat nën hetim fillimisht për zhvillimin e pronës dhe më pas për tjetërsime të vazhdueshme nga bashkëpronarët e truallit drejt personave nën hetim apo personave të tretë të lidhur me ta. Këta persona më pas ia kanë dhuruar njëri-tjetrit sipërfaqe të ndryshme në periudhën 2015–2022. Kjo periudhë përkon edhe me shpronësimin e mëvonshëm të truallit me VKM për projektin “Shkolla e Biçikletave”.

Sipas VKM-së nr. 510, datë 27.07.2022, pasuria nr. 6/438 me sipërfaqe 5,269 m² është shpronësuar kundrejt vlerës 352,859,661 lekë, me çmim 66,969 lekë për m².

Personi nën hetim Adrian Rama rezulton një nga bashkëpronarët e truallit të ndodhur në zonën kadastrale nr. 6/438, Z.K. 8160, me sipërfaqe 5,269 m². Ai qëndron në qendër të veprimeve juridike të kryera nga bashkëpronarët e familjeve Grori dhe Rama gjatë viteve 2016–2022 dhe shërben si urë lidhëse ndërmjet pjesëtarëve të tjerë të grupit kriminal dhe bashkëpronarëve të truallit.

Qëllimi i këtyre veprimeve, sipas hetimit, ka qenë sigurimi i lejes së ndërtimit nëpërmjet organizimit të disa takimeve ndërmjet pjesëtarëve të grupit kriminal në Spanjë dhe Aruba, sipas të dhënave të përftuara nga letërporositë e autoriteteve të drejtësisë së Spanjës dhe Belgjikës.

Nëpërmjet njohjeve dhe lidhjeve të këtij grupi kriminal janë ndërmarrë veprime juridike intensive mbi këtë pasuri, veçanërisht gjatë viteve 2018 dhe 2020, periudhë kur janë zhvilluar edhe takimet e përmendura. Veprimet kanë vijuar edhe më tej, sipas komunikimeve të siguruara në aplikacionin “SkyECC” ndërmjet Alfred Hamzait, Ardian Zykajt, Adrian Ramës dhe Elton Memetit, si dhe nga përgjimet e Adrian Ramës dhe Elton Memetit.

Në vitin 2018, bashkëpronarët e truallit Grori dhe Rama kanë lidhur kontratë me Artur Shehun, të përfaqësuar nga L. Bishaj, me objekt nxjerrjen e dokumentacionit të pronësisë dhe zhvillimin e pronës me leje ndërtimi. Gjatë viteve 2018–2021, bashkëpronarët kanë filluar të lidhin marrëveshje siguruese dhe më pas të dhurojnë sipërfaqe toke në favor të Artur Shehut, me qëllim shmangien e detyrimit për të provuar burimin e ligjshëm të pasurisë dhe krijimin e rrethanave të pavërteta mbi mënyrën e zotërimit të saj.

Më 18.06.2018, Xhon Rama dhe Erjon Rama kanë lëshuar deklaratë noteriale sipas së cilës Artur Shehu do të realizonte zhvillimin e sipërfaqes së tokës sipas kontratës së sipërmarrjes të datës 15.05.2018.

Më 18.10.2018, E. Grori, R.  Grori dhe bashkëpronarë të tjerë kanë lidhur marrëveshje me Artur Shehun, sipas së cilës ai merrte përsipër nxjerrjen e dokumentacionit ligjor të pasurisë dhe zhvillimin e saj, duke përfituar 50% të pronësisë në rast përmbushjeje të detyrimeve.

Po në këtë sipërfaqe toke ka përfituar me anë të dhurimit edhe E. Memeti, i cili në vitin 2018 ka marrë 100 m². Më herët kishte përfituar me dhurim edhe E. Asllani.

D. Grori, me kontratën e dhurimit nr. 6100 rep., nr. 2399 kol., datë 18.04.2018, i ka dhuruar Artur Shehut, të përfaqësuar nga Leonard Bishaj, një sipërfaqe prej 100 m². E. Grori, me kontratën nr. 1134 rep., nr. 691 kol., datë 14.03.2018, i ka dhuruar Artur Shehut 100 m² të tjera.

Erjon Rama, me kontratën nr. 3865 rep., nr. 1265 kol., datë 08.05.2021, i ka dhuruar Artur Shehut 130 m² truall.

Luan Rama, me kontratën nr. 7660 rep., nr. 2555 kol., datë 04.10.2021, i ka dhuruar Xhesika Dodajt 100 m² truall.

Në vitin 2022, Artur Shehu u ka dhuruar sipërfaqe trualli Xh. Dodajt, bashkëjetuese e F. Kolës, dhe M. Canës, e cila sipas hetimit ka lidhje me E. Çelën, vëllain e A. Çelës.

Nga tërësia e veprimeve noteriale dhe komunikimeve të kryera rezulton se Artur Shehu, Adrian Rama dhe Elton Memeti janë përfshirë në veprime për zhvillimin e pronës dhe më pas në veprime juridike të maskuara me kontrata dhurimi, me qëllim sigurimin e lejes së ndërtimit. Sipas të dhënave të ardhura nga autoritetet spanjolle dhe belge, personat nën hetim kanë zhvilluar takime në Spanjë dhe Aruba, ndërsa kanë komunikuar edhe për takime me funksionarë të lartë shtetërorë.

Sipas hetimit, nxjerrja e lejes së ndërtimit është penguar nga sekuestrimi i një pjese të pronës së përfituar me dhurim nga Denis Matoshi dhe nga pamundësia për të revokuar një kontratë të lidhur më herët. Pavarësisht kësaj, grupi ka vijuar të ndjekë zhvillimet lidhur me projektin “Shkolla e Biçikletave”, ku Adrian Rama rezulton të ketë qenë në pritje të planeve të zhvillimit.

Sa më sipër, personat nën hetim rezultojnë të jenë përfshirë në veprime që konsistojnë në fshehjen e natyrës së vërtetë të veprimeve juridike, transferimin e pasurisë tek persona të ndryshëm dhe përdorimin e personave të lidhur me individë të përfshirë në aktivitete kriminale, me qëllim fshehjen e origjinës së pasurisë dhe lidhjes së tyre me zhvillimin e saj. /Pamfleti

aruba artur shehu

2 Komente

  1. H
    Hallexhiu

    Kelyshat e kurvave, (ndjese shume shume per fjalorin). Ketu spirale kane vite qe vuajne per medikamentet base, onkologjiku ne Pike te Halligan, pensionistet trajtohen me lemoshe, ish pronaret nuk marrin dot kimpensimin, ish te perndjekurit nuk marrin demshperblimin, behet fjale per trashegimtaret se ata qe duhet vertete ta perfitonin kane vdekur pjesa me e madhe dhe keta kelysha kurve kane para per te demshperblyer drogaxhinjte. Dhe pastaj tallen e shpik8n shkolle biçikletash. Keta burgun duhet ta konsiderojne resort, se vertete duhet te varen.

    1. k
      k

      Rama tha se kur vidhen pronat e qytetarëve ,fajin e ka gjykata.Kur vidhen pronat e shtetit fajin e kanë shtetasit. Dhe kur vidhet kombi fajin e kanë bashkë-atdhetarët.Ai nuk ka parë gjë se ishte në facebook se e kishte sulmuar një vajzë nga Kanadaja.Ai di vetëm kur numrohen paratë me balluken,ahmetajn dhe lalin.

      Lini një Përgjigje