Gentjan Berberi u shkarkua pak ditë më parë nga detyra e drejtorit të Policisë së Shkodrës për performancë të dobët, pas evidentimit dhe asgjësimit të disa parcelave me kanabis në qark.
Ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentjan Berberi është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor, pas një incidenti të ndodhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Sipas burimeve, Berberi është paraqitur këtë të enjte në zyrën e drejtoreshës së Burimeve Njerëzore, ku dyshohet se ka përdorur fjalor fyes dhe e ka kërcënuar zyrtaren për shkak të emërimit të tij në një detyrë më të ulët, pas largimit nga drejtimi i Policisë së Shkodrës.
Pas incidentit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të Berberit nga detyra, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur procedurat e hetimit disiplinor për sjelljen e pretenduar.
Ndërkohë, drejtoresha e Burimeve Njerëzore ka depozituar kallëzim penal pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), duke e akuzuar ish-drejtorin për ofendime dhe kërcënime gjatë ushtrimit të detyrës. Rasti është në verifikim nga AMP.
Gentjan Berberi ishte shkarkuar vetëm pak ditë më parë nga posti i drejtorit të Policisë së Shkodrës për shkak të performancës së dobët, pas evidentimit dhe asgjësimit të disa parcelave me kanabis në territorin e qarkut. Pas shkarkimit, ai ishte transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në sektorin e Analizës.
Lini një Përgjigje