Aktualitet 9 Nëntor 2023, 16:29

Gazetarët u penguan të raportonin, tërhiqet Garda e Republikës: Ndjesë për incidentin, rasti nuk do të përsëritet

Shkruar nga Pamfleti

Gazetarët u penguan të raportonin, tërhiqet Garda e

Garda e Republikës ka bërë një hap prapa, pas letrës që gazetarët e politikës, i dërguan ministrit të Brendshëm dhe ambasadave, me ankesën se rojet e Kuvendit po ju cenojnë lirinë e raportimit.

Teksa gazetarët tentuan të afroheshin pranë disa deputetëve për t’i intervistuar, garda ka ndërhyrë dhe i ka penguar.

Me anë të një njoftimi të ndarë për mediat Garda e Republikës, ka kërkuar ndjesë lidhur me incidentit e ndodhur në oborrin e Parlamentit.  

Më tej thuhet në njoftim se drejtuesit e Gardës kanë tërhequr vëmendjen e Shërbimeve pranë Parlamentit, për të shmangur incidente të ngjashme, teksa shtohet se Garda do të ketë gjithë angazhimin për krijimin e kushteve optimale për gazetarët.

Nisur nga reagimi publik i Komunitetit të Reporterëve të Politikës gjatë ditës së sotme, mbi një incident të ndodhur në oborrin e godinës ku mbahen seancat parlamentare, Garda e Republikës kërkon mirëkuptimin e medias dhe publikut në tërësi, nëse për shkak të zbatimit rigoroz të masave për sigurinë dhe mbarëvajtjen e punimeve në Kuvend, mund të jenë bërë pengesë në mënyrë të padëshiruar për përmbushjen e detyrave dhe misionit të tyre. Në analizë të situatës së krijuar sot, drejtuesit e Gardës kanë tërhequr vëmendjen e Shërbimeve pranë Parlamentit, për të shmangur incidente të ngjashme.

Media mbetet një partner i rëndësishëm për garantimin e transparencës, informimin e publikut, e në këtë frymë bashkëpunimi të konsoliduar, Garda e Republikës garanton se do të ketë gjithë angazhimin për krijimin e kushteve optimale për to, për funksionalitetin dhe mbarëvajtjen e punimeve në sallën plenare apo Komisionet parlamentare”, thuhet në reagimin e Gardës.

garda gazetarët