Emri i biznesmenit Carapuli nuk është i panjohur. Ai konsiderohet si një prej biznemenëve të lidhur me Kryeministrin Edi Rama
Prokuroria e Tiranës në një njoftim zyrtar bën të ditur detaje nga hetimi i nisur ndaj kreut të IMT Tiranë, Rigers Sheqeri, i cili është pezulluar nga detyra me një vendim të Gjykatës së Tiranës, në kuadër të masave të sigurisë bazuar në kërkesën e prokurorit Julian Xhengo.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, bashkë me Sheqerin, gjykata ka vendosur pezullimin nga detyra edhe të juristit të IMT, Erlion Papa.
Gjithçka ka të bëjë me mosveprimin e zyrtarëve të IMT-së Tiranë ndaj shkeljes së lejes së ndërtimit nga biznesmeni Pandeli Carapuli.
Ndaj këtij të fundit, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe detyrim paraqitje në Policinë Gjyqësore.
Emri i biznesmenit Carapuli nuk është i panjohur. Ai konsiderohet si një prej biznemenëve të privilegjuar nga Qeveria. Në denoncimet e bëra, rezulton se Carapuli ka përfituar miliarda nga fondet publike përmes tenderave, por edhe ndërtimit të një prej resorteve luksoze në jug të vendit, madje duke krijuar përplasje me banorët e Tragjasit, lidhur me ujin.
Gjithashtu emri i Carapulit është lakuar si ndërtuesi i banesës së Kryeministrit Edi Rama në Surrel.
Ndërkohë për zyrtarët e IMT, Sheqeri dhe Papa, Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzat për shpërdorim detyre.
“Në vijim të hetimeve të kryera në lidhje me procedimin penal Nr.337/2026, mbi bazën e kallëzimit të bërë nga shtetasi Admir Ago, administrator i shoqërisë “AL OIL 2019”sh.p.k., i cili pretendoi se në pronën e kësaj shoqërie, janë kryer punime që kanë sjellë si pasojë dëmtimin e saj si dhe punime ndërtimi pa leje, rezultoi se për punimet e ndërtimit objekt hetimi ndodhur në Njësinë Administrative Farkë dhe e regjistruar pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-Tirana Rurale 1, është e nevojshme pajisja me leje ndërtimi dhe se shoqëria “Eurocol”sh.p.k. nuk ka qenë e pajisur me një leje të tillë.
Po kështu, rezultoi se punojësit e IMT pranë Bashkisë Tiranë, fillimisht kanë mbajtur Proçes-Verbalin për konstatimin e kundërvajtjes Nr. 8331”, datë 29.12.2025, në të cilin është konstatuar një fakt i tillë, ndërsa më pas, Kryeinspektori i këtij institucioni Rigers Sheqeri, duke u bazuar edhe në relacionin e përgatitur nga juristi Erlion Papa, ka vendosur mbylljen e procedurës, në kundërshtim me ligjin, pa marrë ndaj subjektit ndërtues asnjë nga masat administrative të parashikuara nga Neni 5 i ligjit Nr. 9780, datë 16.07.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”. Në këtë rast ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit R.Sh. dhe E. P., kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë.
Lini një Përgjigje