Skënder Hita ka marrë sot zyrtarisht detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në një ceremoni të posaçme, me prezencën e zv.Kryeministres Albana Koçiu dhe ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, Hita është betuar përpara marrjes së detyrës.
Në fjalën e tij, Hita tha se pas një rrugëtimi 25-vjeçar në Policinë e Shtetit, prioritet i punës së tij si drejtor i përgjithshëm është përmirësimi i mëtejshëm i imazhit të kësaj organizate. Luftë krimit dhe korrupsionit edhe në rradhët tona, u shpreh Hita, teksa shprehu mirënjohjen për besimin që iu dha që të përzgjidhej si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Ai tha se Policia e Shtetit është institucioni ku qytetarët gjejnë besimin, ndërsa premtoi një rritje të mbështetjes për çdo punonjës të kësaj organizate.
Hita u shpreh se do të luftojë krimin pa kompromis, ndërsa shtoi se një nga prioritetet e punës së tij do të jetë rritja e sigurisë në shkolla.
“Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit mbetet një nga prioritetet”, tha Hita, duke shtuar “betohem se do të mbaj me nder Flamurin e Policisë së Shtetit”.
“Ky kurorëzim si drejtues policie është jo vetëm një vlerësim, por një detyrim për të përmbushur me sukses detyrat”, tha ai.
Hita e cilësoi këtë një ditë të rëndësishme në karrierën e tij, duke theksuar se ka nderin të marrë detyrën më të lartë në këtë institucion.
“Forcimi i rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin e vendit janë misioni im”, deklaroi Hita, duke nënvizuar prioritetet e tij në drejtimin e institucionit.
“Kam nderin të marr detyrën më të lartë në organizatës sonë. Gjej rastin e veçantë të falënderoj kryeministrin dhe qeverinë. i jam mirënjohës çdo efektivi të policisë, që shërben në krye të detyrës. Mbetet sfidë, thellimi i rezultateve dhe forcimi i besimit nga qytetarët mbi policinë. Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, duke nisur nga radhët tona, forcimi i rendit dhe sigurisë në të gjitha territorin, janë misioni im”, tha ai.
Në vijim ai renditi prioritetet, duke theksuar:
-Lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke filluar nga radhët tona;
-Rritje akoma më shumë e parametrave të sigurisë në shkolla dhe në çdo komunitet;
-Forcimi i rendit dhe i sigurisë në të gjithë territorin e vendit;
-Modernizimi i Policisë përmes teknologjisë, përfshirë projektin madhor "Smart City" dhe trajnimeve, sipas standardeve më të mira evropiane;
-Rritje akoma më shumë e transparencës dhe e përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve;
-Mbështetje dhe motivim për çdo punonjës policie që kryen detyrën me ndershmëri e përkushtim;
-Forcimi më tej i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.
Ministri Lamallari u shpreh se Hita është një officer karriere në Policinë e Shtetit dhe një figurë me integritet. Ai tha se Hita ka treguar kurajo dhe profesionalizëm në kryerjen dhe përmbushjen e detyrave.
Ai theksoi se përzgjedhja e drejtuesit të ri ka kaluar në disa faza, me qëllim garantimin që drejtimi i këtij institucioni kyç t’i besohej një figure të besueshme. “Fituesi duhej të ishte një dhe vetëm një, por vlerësoj të gjitha kandidaturat që morën pjesë në këtë proces”, u shpreh ministri.
Duke u ndalur te drejtori i ri, Lamallari deklaroi se Hita gëzon mbështetjen e plotë të Ministrisë dhe Qeverisë, duke shtuar se ai është një figurë me përvojë dhe profesionalizëm që garanton stabilitet dhe vazhdimësi në drejtimin e Policisë së Shtetit.
“Merrni këtë detyrë në një moment kur kërkohet lidheship i fortë dhe vendosmëri, besimi është edhe pritshmëri e lartë për të çuar para policinë moderne, profesional edhe në përputhej me standardet europiane. Forconi më tej profesionalizimin, thelloni luftën kundër paligjshmërisë, dhe të garanton që Policia të mbetet një institucion në shërbim të qytetarëve dhe jo mbi ta”, tha Lamallari.
Me marrjen e detyrës së re, Hita merr edhe gradën madhore “Drejtues i Parë”.
Hita ka shërbyer në polici me karrierë në ngjitje në 10 vitet e fundit. Një prej detyrave më të rëndësishme ishte drejtimi i Policisë së Shkodrës në vitin 2021. Së fundmi, Skënder Hita drejtonte Fierin, ndërsa më parë ka qenë edhe drejtues i Policisë së Durrësit.
Zv.Kryeministrja Koçiu tha se zgjedhja e tij në krye të Policisë, tregon se si ecet në shkallët e karrierës.
“Detyra e parë e drejtorit të ri të policisë, është forcimi i standardit të policisë, i kësaj organizate, që është ndër organizatat më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Policia ka rol kyç në procesin e integrimit të vendin në BE.”, tha Koçiu.
Lini një Përgjigje