Ish-drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, është liruar nga paraburgimi me vendim të Gjykatës së Durrësit, e cila ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Kërkesa për zbutjen e masës është argumentuar me faktin se nuk ekziston rreziku që Cerloj të ndikojë në prishjen e provave. Vendimi është marrë nga gjyqtari Xhevdet Lika.
Cerloj akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre”, pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci më 13 janar. Ky i fundit u largua gjatë një shoqërimi drejt spitalit për kontroll shëndetësor, në kundërshtim me procedurat, pa masa sigurie si prangat dhe nën një mbikëqyrje të dobët.
Sipas hetimeve, Cerloj kishte miratuar menjëherë dokumentacionin për një tjetër vizitë të Ndocit në spitalin e Durrësit, me arsyetimin e dhimbjeve në veshka, pa verifikuar nëse ishte kryer më parë një kontroll nga mjekja e institucionit dhe pa garantuar respektimin e rregullave të shoqërimit.
Për të njëjtën akuzë janë nën hetim edhe persona të tjerë: kryeinfermieri Aulon Çuko dhe shefja e Shërbimit Shëndetësor, Ylfete Sema, të cilët ndodhen në “arrest shtëpie”. Ndërkohë, në paraburgim vijojnë të qëndrojnë ish-shefi i Policisë së Burgut, Dezdemon Pazaj, si dhe dy efektivët që shoqëronin Ndocin në ditën e arratisjes.
Altin Ndoci, i dyshuar si pjesë e armatosur e një grupi kriminal në Elbasan dhe i akuzuar për vrasje, ishte vlerësuar nga komisioni i burgut si person pa rrezik të lartë arratisjeje, vendim i firmosur nga drejtori tashmë i arrestuar.
Arratisja ndodhi pasi Ndoci kërkoi të përdorte tualetin në repartin e Infektivit, nga ku u largua duke goditur dy policët shoqërues. Jashtë ambienteve të spitalit, ai u largua me një automjet tip “Audi A7” në drejtim të paditur.
Lini një Përgjigje